Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një SMS ministrave dhe deputetëve të tij.
Në të këtë mesazh, për të cilin burime për Top Channel bëjnë me dije se ministrave u ka mbërritur një ditë më parë kurse deputetëve sot, kryeministri u ka kërkuar që të refuzojnë replikimin në distancë akuzave e shpifjeve që vijnë nga kampi opozitar.
“Në vijim të komunikimit për refuzimin e daljeve me kolegët tanë të arratisur, në debate shterpë të cilat përveçse harxhojnë kot kohën e publikut, derdhin baltë e helm në tryezat e shqiptarëve, më duhet të shtoj se nuk do të replikojmë më në distancë me deklarata e përgënjeshtrime ndaj akuzave e shpifjeve të tyre të pafundme.
E gjithë vëmendja jonë do të jetë tek njerëzit e zakonshëm pa dallim dhe komunikimi ynë do të jetë për ta e me ta. Natyrisht nuk do t’i kursejmë as arratiakët në komunikimet tona, por vetëm kur kjo i duhet komunikimit me qytetarët. Le të merren kadrinjtë e kazanët me dokrrat e dëshpërimit të tyre dhe le të vlojnë së bashku në zjarrin e mandateve të tradhtuara! Koka bën koka pëson, megjithëse në rastin e tyre koka e bën dhe trupi si gjithnjë e pëson”, thuhet në SMS.