Presidenti amerikan, Donald Trump e ka quajtur lider të madh diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, gjatë mbajtjes së samitit të Hanoit, në Vietnam.
Trumpi dhe Kim janë takuar sot për herë të dytë në samitin e Vietnamit, tetë muaj pasi ata u takuan për herë të parë në Singapor.
“Është një nder të jem me udhëheqësin Kim. Është nder të jemi së bashku në një shtet, në Vietnam, ku kanë shpalosur tepihun e kuq dhe janë të nderuar të na presin”, ka thënë Trump, i shoqëruar nga lideri i Koresë Veriore.
Tutje presidenti amerikan ka thënë se ai është i kënaqur që po takohet për së dyti me Kimin, pasi në takimin e parë ka kaluar shumë mirë me të, raporton The Guardian, transmeton Express.
“Është e mrekullueshme të jem me ty. Ne kishim një takim shumë të mirë në samitin e parë. Disa njerëz do të pëlqenin të shkonte më shpejt, por unë jam i kënaqur. Ti je i kënaqur. Ne duam të jem të lumtur me atë që po bëjmë”, ka shtuar Trump.
Presidenti amerikan ka thënë se takimi i parë ka qenë i suksesshëm sepse ka ndikuar të përmirësimin e raporteve mes SHBA’së dhe Koresë së Veriut, të cilat tani Trump i quan ‘shumë të mirat’.
Diktatorin korean, Trump e ka lëvduar për proseperitetin, që sipas tij, e ka arritur ai në shtetin e mbyllur të Koresë së Veriut.
Lëvdatat ia ka kthyer edhe Kim, që sipas tij, ky samit do të ketë sukses për shkak të “vendimeve të guximshme” të Trumpit.
“Prej herës së fundit kur ne jemi takuar, ka pasur disa keqkuptime… por ne i kemi tejkaluar ato”, ka thënë Kim, duke shtuar se ‘duhet shumë durim”
Të dy liderët pas një bisede private me njëri-tjetrin, vazhduan për në restorantin e hotelit, ku hëngrën darkë. Me ta ishte edhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo.