Ish-Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismali ka thënë se është fatkeqësi që personat e ardhur nga Italia nuk janë vendosur në karantinë për 14 ditë, duke ua kufizuar lëvizjen dhe kontaktin me të tjerët, por u është lejuar të sillen nëpër qytetet e tyre, të marrin pjesë në aktivitete shoqërore dhe kështu ta ekspozojnë popullatën para virusit.
Në një konferencë për media, Ismaili ka thënë se disa çështjeve nga Qeveria Kurti është dashur t’u jepet seriozitet më i madh.
Ai ka bërë thirrje që të rritet edhe numri i testimeve, meqenëse thotë se numri I ulët i testimeve e rrit mundësinë e infektimeve.
“Në Kosovë, deri më tani, sipas informatave zyrtare, i kemi 140 testime. Mendoj se kjo është e paktë, duke e ditur se personat e prekur – sic po raportohet – kanë pasur konatakte me qeindra njerëz. Qeveria Kurti duhet që urgjentisht të fillojë testimin më të shpeshtë, duke mos neglizhuar zingjirin e mundshëm të personave që kanë rënë në kontakt me të prekurit nga virusi”, ka thënë Ismaili.
Ai ka bërë thirrje që mjekët e infermierët të furnizohen me pajisje mbrojtëse.
“Jemi të shqetësuar nga raportimet që vijnë nga komunat e shumta, për mungesë të madhe të pajisjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor, si në spitale rajonale, ashtu edhe në qendrat e mjekësisë familjare”, ka thënë Ismaili.