Sonte në Tiranë është hapur Samiti i Dytë i Diasporës shqiptare,
ku ministri i Shtetit për Diasporë, Pandeli Majko tha se Shqipëria nuk mund të
bëhet pa ndihmën e diasporës.
Në ceremoninë e hapjes së Samitit, të pranishëm sonte ishin qindra shqiptarë nga diaspora dhe nga trevat shqiptare.
“Siç e kanë thënë të parët tanë në ditët më të vështira të kombit, Shqipëria do të bëhet, Shqipëria ka për t’u bërë dhe ajo pa diskutim nuk mund të bëhet pa vullnetin, pa ndihëm, pa interesimin, pa këmbënguljen e pjesës së vet, ndoshta më të mirë, që është diaspora e Shqipërisë”, tha Majko.
Ai po ashtu tha se “diaspora mbetet një histori e pashkruar për atë që ka bërë dhe do të bëjë, sidomos për pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, por gjithë se si sfidat që na presin, janë edhe më të veçanta, janë edhe më të mëdha”.
Mes atyre që do të përshëndesin Samitin e Diasporës, Pandeli Majko ka ftuar edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, por pavarësisht krizës politike në Tiranë, ftesë i është dërguar edhe kryetarit të Partisë Demokratike, Luzim Basha, i cili e ka refuzuar ftesën. “Ne i kemi një borxh të madh diasporës, ndaj nuk mund të pranoj kurrë përdorimin e saj si fasadë nga njeriu që mbushi kampet e azilkërkuesve me 300-mijë shqiptarë, duke i përzënë nga shtëpitë e tyre, ia nxiu faqen Shqipërisë me kanabisin dhe ia dorëzoi vendin oligarkëve dhe krimit”, ka thënë Basha.