Ka shkuar në 55 numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri, ku 38 prej tyre janë vetëm në Tiranë. Në mesin e të prekurve janë 8 mjekë dhe infermierë të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Sauk.
25 prej të infektuarve janë të shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, tre prej të cilëve janë në terapi intensive, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Nga Ministria e shëndetësisë njoftuan se për të lehtësuar fluksin në spitalin Infektiv bëri të ditur se spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID.
:Pas hetimit të hollësishëm epidemiologjik në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 2 raste personel shëndetësor që kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar”, deklaroi Silva Bino, Instituti i Shëndetit Publik.
Në Kosovë në orët e vona mbrëmë është regjistruar edhe një rast me koronavirus duke çuar numrin në 16. Bëhet fjalë për një 39 vjeçare nga Prishtina e cila ka qenë për vizitë në Londër. Në Klinikën infektive në Prishtinë aktualisht janë shtrirë vetëm 10 persona.
“Gjendja e përgjithshme e këtyre 10 që janë të konfirmuar është stabile, është e mirë, të gjithë janë me terapi të caktuar varësisht nga gjendja e tyre shëndetësore herë pas herë ky i moshuari, pra pacienti 77 vjeçar ka nevojë për oksigjeno-terapi mirëpo jo në mënyrë të vazhdueshme. Megjithatë edhe gjendja e tij vazhdon të mbetët stabile por është në një monitorim pak më strikt”, tha Valbon Krasniqi, Infektolog.
Në Kosovë është shpallur gjendje emergjente në sektorin e shëndetësisë, ndërsa nga mesnata ka hyrë në fuqi ndërprerja e përkohshme e të gjitha fluturimeve në “Adem Jashari”.