Një ngjarje e rëndë ka tronditur një shkollë të mesme në Schongau, në landin bavarez të Gjermanisë, ku dy vajza 13-vjeçare u plagosën rëndë dhe u dërguan me urgjencë në spital pas një sulmi të dyshuar me thikë.
Ngjarja ndodhi gjatë orarit të mësimit në Welfen-Gymnasium, rreth orës 12:50 sipas kohës lokale. Policia u mobilizua me shumë forca, ndërsa zona rreth shkollës u rrethua dhe banorët u këshilluan të qëndronin larg.
Sipas policisë, një djalë 16-vjeçar u arrestua pak pas incidentit. Raportohet se ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por u kap pas një operacioni kërkimi ku u përfshi edhe një helikopter policie.
Fillimisht pati shqetësime se mund të bëhej fjalë për një sulm me armë zjarri, por autoritetet thanë se deri tani nuk ka viktima nga të shtënat. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar saktësisht çfarë ka ndodhur dhe motivin e sulmit.
Policia deklaroi se dy vajzat kanë pësuar plagë serioze, por sipas raportimeve të fundit jeta e tyre nuk është në rrezik. Autoritetet po hetojnë nëse i dyshuari kishte lidhje me shkollën dhe nëse ka vepruar i vetëm.


