Britania në alarm: Të dyshuar për vrasje në Francë mund të kenë hyrë në vend me gomone

Share

Një grup migrantësh dyshohet se u largua drejt Mbretërisë së Bashkuar përmes Kanalit Anglez vetëm pak orë pasi një burrë u godit për vdekje me thikë në një plazh në Francë.

Politikanë britanikë e kanë cilësuar rastin si “tronditës”, pasi ekziston dyshimi se autorët e vrasjes mund të kenë mbërritur në Britani me një gomone të vogël pak orë pas sulmit fatal.

Ngjarja ndodhi të enjten në plazhin Terminus, në resortin bregdetar Berck-sur-Mer, ku policia franceze nisi hetimet pasi u gjet trupi i pajetë i një burri.

Sipas dëshmitarëve, viktima, që besohet të ketë qenë rreth të njëzetave, u sulmua nga migrantë të tjerë mes dunave të rërës. Autoritetet franceze po përpiqen të identifikojnë viktimën, e cila nuk kishte dokumente identifikimi, si dhe të përcaktojnë origjinën e saj.

Sulmi ndodhi në agim, pak para se nga i njëjti plazh të nisej një gomone e madhe me 165 migrantë në bord, numri më i lartë i regjistruar deri tani për një mjet të tillë. Më vonë, gomonia u shoqërua deri në portin e Doverit, ku pasagjerët iu nënshtruan procedurave të zakonshme të autoriteteve britanike.

Një burim pranë hetimeve në Francë tha se para ngjarjes kishte shpërthyer një debat i ashpër që u përshkallëzua në përleshje. Sipas tij, i riu u godit me thikë nga të paktën një person, ndërsa arma e krimit u gjet pranë trupit të viktimës disa orë më vonë.

Burimi shtoi se hetuesit dyshojnë se personat përgjegjës mund të jenë larguar nga Franca me gomonen që u nis drejt Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, autoritetet nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë dhe hetimet vazhdojnë.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit