Dy gra kanë mbetur me plagë të rënda që mund t’u ndryshojnë jetën pas një sulmi me thikë ku u plagosën tre persona pranë një qendre tregtare në Nottingham të Anglisë. Ngjarja ndodhi në një apartament në zonën Wasnidge Walk, ku policia u thirr pas raportimeve për një sulm me thikë.
Sipas autoriteteve, pas incidentit tre personat e përfshirë u hodhën nga një dritare. Një burrë 27-vjeçar u gjet jashtë apartamentit, ndërsa dy gratë, 26 dhe 31 vjeç, u gjetën të plagosura në qendër të Nottinghamit. Të tre janë dërguar në spital. Dy gratë kanë pësuar lëndime të rënda, por mjekët bëjnë të ditur se ato nuk janë aktualisht në rrezik për jetën.
Policia e Nottinghamshire ka arrestuar të tre personat, të cilët dyshohen për shkaktim të plagëve të rënda trupore. Hetuesit besojnë se bëhet fjalë për një incident të izoluar dhe se nuk ka rrezik për publikun.
Shefja e hetimeve, inspektorja Kylie Davies, tha se policia është ende në fazat e para të hetimit dhe po punon për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që kanë parë incidentin ose disponojnë pamje nga kamera sigurie, kamera automjetesh apo telefona celularë, t’i dorëzojnë ato tek autoritetet për të ndihmuar hetimin.


