Kosovë, Prokuroria konfirmon aksionin në Zubin Potok për të zbardhur fatin e të zhdukurve

Share

Vetëm pak orë pas arrestimit të dy shtetasve serbë, njësitë speciale të Policisë së Kosovës, së bashku me ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, kanë nisur veprimet në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës.

Në fshatin Kalludër e Vogël janë zhvilluar gërmime pas dyshimeve se në këtë zonë mund të gjenden mbetje mortore të më shumë se 20 civilëve shqiptarë, të cilët u rrëmbyen në prill të vitit 1999 në Mitrovicën e Veriut.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta, ka deklaruar se veprimet po kryhen me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

“Institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut”, ka thënë Luta.

Më 23 prill të vitit 1999, 23 shqiptarë u rrëmbyen nga forcat policore dhe ushtarake serbe dhe u dërguan në drejtim të kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Që nga ajo kohë, familjarët nuk kanë pasur më asnjë informacion për fatin e tyre.

Dy personat e arrestuar së fundmi dyshohen se mund të kenë lidhje me këtë ngjarje të rëndë, ndërsa hetimet dhe kërkimet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve po vazhdojnë.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit