Duke qenë se numri i vdekjeve nga koronavirusi në Britaninë e Madhe arriti në 233, qeveria i bën thirrje qytetarëve të ndalojnë blerjet nga paniku, pasi raftet e dyqaneve ushqimore vazhdojnë të jenë bosh në të gjithë vendin.
Në një konferencë për median, sekretari britanik për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale, George Eustice kërkoi nga populli që të tregohen më të përgjegjshëm në blerje dhe të mendojnë edhe për të tjerët.
Komentet e tij vijnë pasi shifrat e fundit të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit njoftuan se numri i viktimave nga koronavirusi në të gjithë Britaninë e Madhe ka arritur në 233.
Eustice theksoi se njerëzit duhet të mendojnë në veçanti për punëtorët kryesorë, të tillë si stafi i Shërbimit Kombëtar i Shëndetit, të cilët, pas përfundimit të punës nuk mund të gjejnë furnizime themelore.