Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se marrëveshja e koalicionit me Lidhjen Demokratike e Kosovës është shkelur kur u kërkua heqja e plot e tarifës pa reciprocitet. Sipas tij është shantazh i dyfishtë që të kërkohet rifillimi i dialogut, duke pasur marrëveshje mes dy presidentëve, atë të Kosovës dhe Serbisë.
Kështu i ka reaguar Kurti, deputetes së LDK-së,, Valentina Bunjaku, derisa e njëjta ka akuzuar Kurtin se ka rrënuar urat e bashkëpunimit me LDK-në. Mes tjerash ajo tha se kryeministri është frikësuar që t’iu prijë proceseve para. Në seancën e jashtëzakonshme ku pritet votimi i mocionit për rrëzimin e qeverisë, Kurti tha se marrëveshja e koalicionit është shkelur kur është kërkuar heqja e tarifës pa reciprocitet, e jo me shkarkimin e ministrit Agim Veliu.
“ Pse nuk e shkarkova një tjetër ministër të LDK-së, pse jo një ditë tjetër por atë ditë. Sepse kur e pyeti gazetare “A jeni ju për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si ka kërkuar Hashim Thaçi”, tha po sigurisht. Nuk mundesh ashtu, Qeveria e Kosovës nuk mund të ketë ministra të cilët e kundërshtojnë kryeministrin në mesnatë, e në mbledhje që mbahen nuk flasin, nuk mund të ketë. E dyta, nëse dyshoni a mund ta udhëhoqi unë dialogun me Serbinë provoni, edhe këqyrni seri. Unë kam propozuar ekipin politik përfaqësues me dhjetë veta. Unë si kryeministër, kryeparlamentarja Osmani, presidenti Thaçi dhe nga një përfaqësues nga secilit grup parlamentar. Dhjetë veta kishin me qenë një ekip që e formon kryeministri, sepse kryeministri e udhëheq dialogun, por një herë nuk ka dialog. Nga njëra anë dialogu nuk ka rifilluar sepse nuk është përgatitur, a në tjetrën anë të thonë hajde për marrëveshje të gatshme tashmë të kryer mes dy presidentëve ky është shantazhi i dyfishtë ”, tha Kurti.
Krahas kësaj, Albin Kurti tha se në Këshill të Sigurisë së Kosovës ka dështuar “puqi”, i Agim Veliut, gjë e cila sipas tij është e pafalshme. Debati mes Bunjakut e Kurtit ka shkuar edhe më tej. Deputetja e LDK-së tha se Vjosa Osmani që nga fillimi ka qenë iniciatorë që këto dy parti të bashkëpunojnë mes vete. Përkundër kësaj, Bunjaku tha se kjo e fundit nuk ishte njoftuar për shkarkimin e bashkëpartikut të saj, Agim Veliut.
“Edhe kryetarin e LDK-së edhe kryeparlamentaren i kam njoftuar pak para shkarkimit. Por nuk kam mundur t’i ftojë në takim, dhe a e dini pse? Se ndërroj mendimin më, është ofendim me të thirr në takim, kur nuk e ndërron mendimin. Unë të thërras në takim kur ka mundësi me bo dialog dhe me gjetë kompromis. Nuk mund të bëjë kompromis nëse dikush në mesnatë ja mban isën presidentit pikërisht në mbrëmjen kur u tentua puqi ndaj Qeverisë së Kosovës. Nuk ka mundësi në natën kur u tentua puqi me dal një ministër me mbajt anën e kundërshtarit. Ose je, ose nuk je në këtë qeveri”, u shpreh ai.