Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një intevistë ka folur rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë. Meta iu ka dërguar mesazh politikanëve të Kosovës, duke iu thënë se është e rëndësishme të mos humbasë asnjë minutë në përballjen me virusin COVID-19.
Meta ka deklaruar se nuk është i lumtur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Derisa ka shtuar se megjithatë, institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në përballjen me virusin COVID-19.
“Nuk jam i lumtur për zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërkohë që kemi qenë shumë të lumtur për zgjedhjet e fundit në Kosovë. Sidoqoftë kjo situatë dhe përgjegjësia për të gjetur një zgjidhje i takon udhëheqësve të Kosovës. Është me rëndësi të mos humbet asnjë minutë në luftën kundër COVID 19 dhe të gjithë të përqëndrohen në këtë drejtim”, ka thënë Meta, në NovoMedia.
Presidenti Meta ka shtuar se përveç përballjes me pandeminë, Kosova ka edhe sfida të tjera.
“Kosova përveç përballimit të pandemisë ka dhe disa sfida tepër të mëdha që imponojnë një unitet si asnjëherë më parë. Përballimi i situatës së krijuar nga pandemia COVID19 duhet të jetë prioriteti numër një për të gjithë udhëheqësit e Kosovës, të cilët duhet të mendojnë se si do të japin një zgjidhje “Pro Kosovë” dhe jo “anti-Kurti””, u shpreh Meta.