Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përsëriti thirrjen për qeverinë që të veprojë sa më parë dhe të mbyllë fasoneritë dhe call center për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Vizion Plus”, Basha deklaroi se masat e qeverisë janë për t’u përshëndetur, por shtoi se duhet të vijohet më tej.
“Prej ditës së parë kemi kërkuar marrjen e masave sa më të shpejta dhe sa më të forta. Ndaj përshëndes çdo masë që shkon në forcimin e regjimit të distancimit social. Janë shumica prej tyre masa që i kemi kërkuar prej kohësh. Kjo pjesë e punëd duhet intensifikuar. Duhet të merren në kohë këto masa. Ajo që mungon është mbyllja e vatrave potenciale të infeksionit, si fasoneritë, call center, fabrikat. Gjej rastin të përsëris thirrjen time të përditshme sepse çdo vonesë në këtë drejtim do të na kushtojë jetë dhe shëndetin e njerëzve. Masat mbështetëse janë shumë mbrapa. Një pjesë e madhe e popullsisë nuk kanë mundësi të sigurojnë të përditshmen, ushqimin apo trajtimin minimal edhe për të moshuarit dhe për shtresat në nevojë.”
Sipas kryedemokratit, nga ana tjetër, qeveria nuk po bën mjaftueshëm për të marrë masa për krizën ekonomike. Ai u shpreh se vendi ynë ka shumë mundësi ekonomike për të ndihmuar shtresat në nevojë dhe të moshuarit.
“Qeveria është shumë vonë me marrjen e masave për të përballuar krizën ekonomike. Ne kemi më shumë se 2 javë që kemi propozuar paketën tonë. Disa propozime janë pranuar, por nuk po zbatohen. Akoma nuk e dimë nëse njerëzit që janë mbyllur në shtëpi do të kenë të garantur minimumin jetik. Shqipëria ka mundësinë të bëjë 3 herë më shumë se çfarë ka bërë deri tani.”
Basha tha se Shqipëria ka mundësinë të bëjë 3 herë më shumë sesa ka bërë deri tani me paketën e ndihmës.
“120 milion euro të cilat janë të buxhetuara këtë vit për 12 koncensione për 10 oligarkë, siç i njeh tashmë populli, duhet të anullohen menjëherë. Afro 40 milion euro në shpenzime operative duhet të ridestinohen menjëherë. Afro 100 milion euro në investime publike, mund të ridestinohen menjëherë. Në vend të kësaj shohim që vetëm në 10 ditët e fundit, kanë shkuar afro 30 milion euro për beton. Betoni nuk është prioritet sot. Sot prioritet është shëndetësia, siguria e jetës së qytetarëve, janë shtresat në nevojë të cilat po afrohen në një pikë vlimi ku nuk kanë më me çfarë të përballojnë të përditshmen e tyre dhe është ndërtimi i mekanizmave për të mbrojtur ekonominë”, u shpreh Basha.