Alex Soros
Kriza COVID-19 i ka dhënë Bashkimit Evropian një mundësi për të zbatuar diskurset e veta madhështore mbi vlerat dhe të drejtat, dhe të afirmohet si udhëheqës global. Për ta rrokur këtë shans, BE dhe vendet anëtare duhet të demonstrojnë solidaritet shumë më të madh, sidomos ndaj Italisë, sesa kanë bërë deri më tani.
NEW YORK – Titujt janë tmerrues. Mungesa e pajisjeve jetike që i detyrojnë mjekët të marrin vendime në fushën e betejës, se kush jeton dhe kush vdes. Radhët e gjata të njerëzve të sëmurë që presin më kot për një test, apo një shtrat spitali. Bizneset, dyqanet, baret dhe restorantet e zbrazëta që kanë shkaktuar ndaljen e ekonomiveë lokale në të gjithë botën. Dhe një numërim i zymtë se cilët shtete janë goditur më së shumti nga koronavirusi COVID-19, me Shtetet e Bashkuara që tani po rendin shpejt drejt kreut – duke regjistruar gati 61,000 raste të konfirmuara shumë sesa Kina, vatra e shpërthimit fillestar.
Në Evropë, pandemia ka goditur veçanërisht Italinë, e cila ka qenë në bllokim total mbarëkombëtar që nga 9 marsi, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Që nga 30 Marsi, Italia ka raportuar rreth 98,000 raste të konfirmuara të COVID-19. Më shumë se 10,700 italianë, kryesisht në rajonin verior të Lombardisë, kanë vdekur nga sëmundja deri më tani. Milano, kryeqyteti rajonal, është më shumë se një kolonë mbështetëse për ekonominë e Italisë. Qyteti që dikur ziente nga gjallëria, është i lidhur pazgjidhshmërisht me projektin evropian dhe është një shtysë kryesore e ekonomisë evropiane në tërësi.
Megjithatë, ndërsa numri i të vdekurve rritet dhe rajoni sheh nivelet e transmetimit më të larta se kudo tjetër në kontinent, Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij kanë qenë të avashtë, për të dhënë një dorë në çfarëdolloj mënyre domethënëse dhe të tregojnë solidaritet me fqinjin e sëmurë. Në vend të kësaj, vendet anëtare të BE-së kanë mbyllur kufijtë dhe janë kthyer brenda vetes. Vuajtja e Italisë u përkeqësua nga mbyllja e kufijve, të cilat ndërprenë furnizimet dhe pajisjet mjekësore të nevojshme.
Qeveritë janë përfshirë në grindje të vogla, duke u shfaqur më shumë të merakosura për avantazhin e tyre ekonomik. Përfaqësuesit e disa shteteve të Evropës veriore kanë sfiduar vendimet e fundit ekonomike të Italisë dhe e kanë patur më shumë mendjen, të mësojnë se si Italia do të arrinte të paguante borxhet, sesa për numrin e vdekjeve dhe rënien ekonomike.
Si rezultat, në një kohë kur kontinenti, dhe në të vërtetë gjithë bota, po përballet me krizat publike-shëndetësore dhe ekonomike me përmasa historike, Evropa është një shtëpi e ndarë, në rrezik të shpërbërjes së mundshme territoriale. Nëse Brexit bashkoi 27 shtetet anëtare të mbetura dhe largoi spektrin e daljes nga arena evropiane, koronavirusi e ka rikthyer përsëri në rendin e ditës.
BE ka një përgjegjësi ndaj shteteve anëtare dhe popujve të saj, që të përdorë cilindo dhe të gjitha instrumentet financiarë në dispozicion, ose të krijojë të reja, për të siguruar që Italia dhe Bashkimi në tërësi të mund të përballojnë – dhe përfundimisht të ringrihen nga – kjo krizë. Kjo kërkon heqjen dorë nga zakoni i mbështetjes mbi një model të vjetëruar të qeverisjes, i justifikuar prej mungesës së burimeve të përbashkëta financiare, në një bashkim monetar. Nëse Italia dështon, çmimi për ekonominë evropiane – në të vërtetë, për vetë projektin evropian – do të jetë shumë më i lartë, se sa çmimi i shkeljes së një rregulli fiskal gjatë një kohe rreziku të madh.
Para samitit virtual të Këshillit Evropian të javës së kaluar, një grup prej nëntë vendesh evropiane, duke përfshirë shtetet jugore si Portugalia dhe Sllovenia, kërkuan një Eurobond dhe përbashkëzimin e borxhit. Institucionet financiare të Evropës kishin për detyrë në samit të bënin propozime, ndoshta të lehtësonin presionin ndaj krerëve të qeverive (shumica e të cilëve janë të shqetësuar me opozitën e brendshme). Në të njëjtën kohë, disa nga figurat më autoritare dhe ekstreme politike të Italisë e shfrytëzuan momentin, për të bërë thirrje kundër BE-së dhe hodhën në tryezë idenë e daljes së Italisë nga euro dhe vetë Unioni.
Me Shtetet e Bashkuara nën administratën e sotme, duke u tërhequr nga aleanca transatlantike e pas luftës, BE-së iu dha mundësia të ngrihej në lartësinë e angazhimeve të veta kundrejt vlerave, të drejtave dhe bashkëpunimit shumëpalësh, dhe të afirmohej si një udhëheqës global. Nuk është ngritur në lartësinë e sfidës. Ndërsa e ardhmja e Evropës sot duket e zymtë, nuk është vonë që institucionet dhe qeveritë evropiane të ndryshojnë kurs. BE nuk mund të lejojë të humbasë Italinë ose të kalojë krizën pa një përgjigje kuptimplote. Të gjitha vendet dhe ekonomitë në bllok do të vuanin si pasojë e kësaj.
Babai im, George Soros, ka jetuar në kohën e disa prej krimeve më të egra të shekullit të kaluar dhe doli nga ajo përvojë me një besim të thellë dhe të qëndrueshëm në domosdoshmërinë e projektit Evropian. Unë jam krenar për historinë e tij të gjatë, dhe përdorimin e institucioneve të tij filantrope për të promovuar një të nesërme më të mirë, për Evropën dhe botën.
Kjo është arsyeja pse nuk duhet të jetë befasi që organizata që ai themeloi, Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, po bën një hap përpara në ndihmë të Italisë në këtë moment vendimtar duke i premtuar 1 milion euro qytetit të Milanos, për të mbështetur punën e palodhur në ndihmë të të prekurve dhe rindërtimit të ekonomisë, shëndetit dhe shpirtit të Milanos, në muajt në vazhdim.
Për të qenë të qartë, disa vende të BE-së – edhe pse me vonesë – kanë dërguar edhe pajisje mjekësore, dhe shumë italianë kanë bërë dhurime në përpjekjet kombëtare për të luftuar krizën. Dhe vetëm disa ditë pasi mori miratimin për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE, Shqipëria shfaqi solidaritetin e vërtetë evropian duke dërguar një kontingjent prej 30 mjekësh në veri të Italisë. Shpresoj se shumë të tjerë do ta ndjekin atë shembull dhe do të ofrojnë një ndihmë në zonat më të goditura nga COVID-19. Duke bërë një dhurim të ngjashëm për qytetin e Budapestit, një dorë e tillë për të ndihmuar është njëri prej një serie veprimesh, që Fondacionet e Shoqërisë së Hapur do të fillojnë në ditët në vijim si përgjigje ndaj kësaj krize. / Project Syndicate – Bota.al