Kreu i qeverisë Edi Rama ka deklaruar se familjet që jetojnë me qira do të marrin nga shteti një subvencionim, por jo në masën 100% të saj. Në kushtet kur qeveria ka përcjellë me një akt normativ mospagimin e qirasë për qytetarët (të mbetur pa punë për shkak të koronavirusit), bizneset e vogla apo studentët, do të bëhet dhe një përpjekje sipas kryeministrit, që të ndihmohen dhe ata që jetojnë pikërisht me qiranë që nuk do të marrin për muajin prill dhe maj.
“Akti normativ dhe Tatimet do të detajojnë dhe udhëzojnë gjëra të ndryshme. Nuk po u themi atyre që jetojnë me atë qira që do rrini pa bukë. Individët të cilët jetojnë me qiranë e një mjedisi qe e ka në pronësi dhe nuk kanë të ardhura të tjera absolutisht që do të jemi ne qe do i mbështesim për këtë periudhë. Do i mbështesim me një subvencioni ashtu si bizneset e vogla qe nuk do e paguajnë qiranë. As këto familje nuk do i lëmë vetëm, nuk do të thotë të japim të gjithë qiranë, por një pjesë të saj sipas kalkulimeve që do të bëhen mirë”, tha Rama.
Kryeministri Rama ka thënë se po diskutohet mundësia e krijimit të lehtësirave me ‘pikatore’.
Rama deklaroi se ende nuk është marrë një vendim zyrtar, por ajo që po konsiderohet në tavolinë është lëhtësimi i fashës orare që u lejohet qytetarëve për të dalë, apo edhe lëvizja me automjet. Por nga ana tjetër, Rama ka deklaruar se me lehtësimin, po shikohet mundësia dhe e rritjes së sanksioneve për ata persona që shkelin masën. Madje kryeministri ka folur dhe për heqje lirie (burg).
“Bazuar në këtë ecuri kemi mundësinë që të mendojmë për të liruar me pikatore disa masa shkallë shkallë për të lehtësuar psikologjikisht në radhë të parë jetën tuaj dhe tonën, por nuk kemi asnjë mënyrë të drejtë dhe kemi detyrimin që të mos hedhim hapa të nxituar dhe ndërkohë që dua t’u them se nëse do të zgjedhim si po mendojmë, të fillojmë të bëjmë disa lehtësime, patjetër do të bëjmë edhe disa shtrëngime. Pasi nëse do të lehtësojmë pak, do të jemi më të rrezikuar nga ata që nuk duan të dëgjojnë dhe thyejnë rregullat duke kërcënuar të kthehen në bomba.
Ajo që ne po konsiderojmë, është që duke lehtësuar fjala vjen, fashën orare apo duke lehtësuar lëvizjen me automjet për punë të të gjithë atyre që janë në një punë që sot lejohet dhe që nuk e kanë të mundur të gjithë të lëvizin, atëherë, duhet të rrisim fort sanksionet për ata që do ta shkelin hapësirën e kufiuar të lirisë. Dhe duhet të shkojmë ndoshta deri në heqje lirie, përshembull sikur ai që e përdor mjetin privat për të shkuar në punë, e përdor atë për të transportuar të tjerë”, tha Rama.