Qeveria do të paguajë 1000 euro mbi pagën për mjekët e infermierët në Vijën e Zjarrit.
Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas peticionit të mjekëve të Urgjencës së Lezhës, duke theksuar se, “unë e kam thënë shqip që do të paguajmë 1000 € mbi pagën për mjekët e infermierët në Vijën e Zjarrit!”.
“Kush ka ngatërruar vijën e zjarrit në spitalet Covid e në autoambulanca, me detyrën e bluzës së bardhë në territor, duhet të kthjellohet e të mos turpërojë bluzën e bardhë!’, u shpreh Rama.
“Kush i nxit nga jashtë kërkesat për shpërblime pa asnjë sens bën politikën e mbrapshtë që ka bërë gjithnjë dhe do ndëshkohet nga populli, kush nga brenda bëhet mashë politike cenon misionin e shenjtë e moralin e bluzave të bardha në këtë luftë dhe nuk do të justifikohet në vijim!”, tha Rama.
Më herët, reagoi edhe ish-deputetja e PD-së, Lindita Metaliaj e cila tha se “infermierët dhe mjekët në spitalin rajonal të Lezhës sot në mëngjes protestuan në sheshin para urgjencës së spitalit”.
Ajo tha se “atyre u ishin premtuar 1000 euro shtesë page, por në të vërtetë u dhanë vetëm nga 5000 lekë të reja”.