Të paktën gjashtë persona kanë vdekur nga tornadot dhe vërshimet që i goditën disa shtete në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara. Këto stuhi i prekën Teksasin, Misisipin dhe Louisianën.
Të dielën, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave në Misisipi konfirmoi se viktima ka pasur në tre rajone të ndryshme të këtij shteti.
Në Louisiana, disa shtëpi janë shkatërruar në qytetin Monroe. Autoritetet lokale deri më tani kanë raportuar për disa lëndime të vogla të qytetarëve, shkruan “BBC”.
Shërbimi Kombëtar i Motit tha se stuhi të fuqishme mund ta godasin këtë pjesë edhe të hënën, sidomos në Misisipi, Alabama dhe Georgia.
“Tornado të fuqishme, erëra dëmtuese dhe breshër i madh janë të mundshme”, njoftoi kjo agjenci.
Strehimoret publike në shumë vende tashmë janë të mbyllura për shkak të masave kundër koronavirusit. Nga personat që kërkonin strehim u kërkua që ta mbanin distancën fizike, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme.




