Wayne Rooney është rekordmen i golave te Anglia dhe Manchester Unitedi. Mirëpo, ai thotë se ka mundur të shënonte më tepër gola gjatë karrierës.
Rooney ka shënuar 253 gola me fanellën e Unitedit, duke e thyer rekordin e Sir Bobby Charltonit. Po ashtu theu rekordin e Charltonit edhe te përfaqësuesja e Anglisë, duke shënuar 53 gola.
“Mund t’ju befasoj, por unë nuk jam golashënues i natyrshëm. Kurrë nuk kam qenë si Gary Linekeri apo Ruud van Nistelrooy”, ka shkruar Rooney në vështrimin e tij për “Sunday Times”.
Pasi doli në skenë si 16-vjeçar me Evertonin, Rooney siguroi transferimin te Manchester Unitedi në vitin 2004, ku luajti 559 ndeshje. Ai aktualisht është pjesë e klubit të Kategorisë së Dytë të Anglisë, Derby County. Me Anglinë, Rooney ka luajtur 120 ndeshje.
“Unë i mbaj rekordet e golave për Manchester Unitedin dhe Anglinë dhe jam shumë krenar me këtë, por ka pasur nëntëshe më të mira se unë. Si jam bërë rekordmen i golave nëse nuk kam qenë golashënues i natyrshëm? Me kohë. Unë kam luajtur 13 vjet për Unitedin dhe 15 vjet me Anglinë. Pata kohë për të thyer rekordet dhe duke shikuar prapa, kam mundur të shënojë edhe më tepër gola”, ka shkruar Rooney.
Por, Rooney beson se sulmuesi i tashëm i Tottenhamit, Harry Kane do t’ia thyejë rekordin e Anglisë.
“Nuk besoj se do të vonojë shumë për Harry Kanen për të thyer rekordin e golave te Anglia dhe do të ishte moment krenar për mua. Në rast se do të isha duke ndërtuar një skuadër, atëherë Kane do të ishte titullar në sulm. Unë kurrë nuk kam qenë egoist dhe do të ishte fenomenale për Anglinë që Harry të thyejë rekordin. Bobby Charlton u desh të priste 50 vjet që unë të thyeja rekordin. Por, shpresoj që unë të mos pres as gjatë. Sa i përket rekordit te Unitedi, mund të qëndrojë më gjatë, për faktin se lojtarët nuk po qëndrojnë aq gjatë në klube sa kanë qëndruar dikur. Në rast se Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo do t’i bashkoheshin Unitedit për të përfunduar karrierën, atëherë do të thyenin rekordin për tri apo katër vjet”, ka shkruar Rooney.