Stinori në futbollin profesionist të Holandës përfundimisht ka mbaruar. Kjo është bërë e qartë të martën mbrëma në një konferencë që e ka mbajtur kryeministri i Holandës, Mark Rutte, në të cilën janë paraqitur masat e reja në luftë ndaj koronavirusit.
Kryeministri holandez ka konfirmuar se ngjarje për të cilat kërkohet leje, duke përfshirë edhe ndeshjet e futbollit, janë ndaluar deri më 1 shtator. Një kërkesë të tillë e kishin bërë më herët kryetarët e komunave, raporton Koha.net.
Ndeshjet e futbollit vlerësohen ngjarje për të cilat duhen leje, edhe kur ato luhen pa shikues. Nga Federata e Futbollit të Holandës kanë thënë më herët se ndeshjet e futbollit nuk përfshihen në “ngjarjet me leje”, por nga kabineti i kryeministrit kanë thënë të kundërtën.
Në javët e fundit klube si Ajaxi, AZ dhe PSV kanë qenë në favor të përfundimit të edicionit. Tani Federata do të vendos se si do të përfundoj edicioni.