Gazeta e njohur italiane, La Gazzetta dello Sport, ka publikuar të martën edhe një shkrim për kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmani.
Sipas kësaj gazete, Napoli nuk duhet të ketë brenga.
“Me xhokerin Rrahmani, mbrojtja e Napolit nuk do të ketë hapsira”, ka shkruar La Gazzetta dello Sport. Rrahmani (26) është transferuar në janar te Napoli, por ka mbetur si huazim te Verona deri në verë.
Ai te Verona luan si njëri prej tre mbrojtësve. Por gjatë karrierës ka luajtur edhe në mbrojtje me katër lojtarë, madje edhe në krah. Për këtë arsye gazeta italiane ka shkruar se Rrahmani mund të përdoret nga Napoli për pozita të ndryshme.
“Ai do të jetë i gjithanshëm para portës së Napolit. Do të jetë lojtari për njëmijë përdorime dhe për çdo emergjencë. Rrahmani ka luajtur në çdo pozitë në mbrojtje, pos si portier jo. Mund të zëvendësojë shumë lojtarë të Napolit”, ka shkruar gazeta italiane.
Te Kosova, Rrahmani luan në qendër të mbrojtjes, së bashku me Fidan Alitin.