Sipas një përllogaritjeje të bërë nga Financial Times, përhapja e koronavirusit të ri (COVID-19) deri më tani mund të ketë shkaktuar vdekjen e mbi 41 mijë personave në Mbretërinë e Bashkuar.
Përllogaritja bazohet në të dhënat e fundit të Zyrës së Statistikave Kombëtare (ONS) dhe është “më shumë se dyfishi i të dhënave zyrtare prej 17.337 vdekjeve”, ku janë paraqitur vetëm rastet e vdekjeve në spitale.
“Pandemia e koronavirusit tashmë ka shkaktuar deri më 41 mijë vdekje në Mbretërinë e Bashkuar”, sugjeron analiza.
Sipas të dhënave të djeshme të ONS-së, rastet e përgjithshme të vdekjeve në Angli dhe Uells deri në javën e dytë të prillit ishin 75 për qind më të larta sesa normat normale, duke arritur në nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit. Shifrat e ONS-së treguan se 18.516 vdekje janë regjistruar në periudhën në fjalë ndërsa shifra mesatare e pesë viteve të fundit ishte 10.520 për të njëjtën javë të vitit.
“Një vlerësim i matur i vdekjeve shtesë në Mbretërinë e Bashkuar deri më 21 prill ishte 41.102”, thonë nga Financial Times.
Në analizë thuhet se koronavirusi është përhapur në 70 për qind të shtëpive ku banojnë të moshuarit dhe qytetarët që mund të jenë më të prekur. Megjithatë, akoma nuk është bërë e ditur një shifër zyrtare se sa vdekje që mund të ndërlidhen me COVID-19 janë regjistruar në këto shtëpi.
“Të dhënat e ONS-së treguan se shumica e të gjitha vdekjeve shtesë ishin persona të moshës mbi 75 vjeç. Kjo grupmoshë përbënte 70 për qind të totalit, të njëjtin proporcion me ato që kanë COVID-19 në certifikatat e tyre të vdekjes”, thuhet në analizë.
Numri zyrtar i vdekjeve nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar është 17.337, me 823 raste të reja të vdekjeve.