Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka kundërshtuar vendimin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, që zyrtarisht t’ia japë mandatin për formimin e një qeverie të re “cilësdo parti që siguron shumicën në Kuvend”.
Në një konferencë për media, në mbrëmjen e së mërkurës, Kurti ka paralajmëruar se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e fundit në vend, do ta çojë Thaçin në Gjykatën Kushtetuese.
“Këto përpjekje, këto orvatje antikushtetuese, vetëm sa e rrezikojnë rendin republikan, e shtetin demokratik të Kosovës”, ka vlerësuar shefi në detyrë i ekzekutivit të vendit.
“Nuk mund ta shtypin vullnetin e popullit, dhe të na kthejnë para datës 6 tetor”, ka shtuar Kurti.
“Presidentit të Republikës i kanë mbetur edhe disa muaj mandat, dhe po dëshiron ta kapë trenin e fundit. Por, i ka ikur edhe treni i fundit. S’ka më trena për presidentin…”, është shprehur Kurti.
“Presidenti sot doli në ilegalitet. Formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Presidentit këtë mundësi ia dhanë krerët e LDK-së, të cilët paraprakisht me vullnet braktisën çdo fjalë të thënë e dhënë ndaj qytetarëve e ndaj nesh. Me këso veprime e taktikash shpaloset përpjekja për të blerë ilegalisht kohën të cilën ua shkurtoi vullneti i qytetarëve”, tha Kurti në konferencë.
Tutje, Kurti tha se presidenti Thaçi thirret në disa dispozita të Gjykatës Kushtetuese, por veprimet e tij tregojnë se janë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Presidenti i Kosovës thirret në disa dispozita të Gjykatës Kushtetuese, por veprimet e tij janë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës, ai u referohet disa aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, por, me këtë tregojnë se ai dhe stafi i tij nuk i kanë lexuar të njëjtat, apo mbase edhe nuk i kanë kuptuar, ku i dihet!”, ka thënë Kurti në konferencë për media.
Ssot gjatë ditës, presidenti Hashim Thaçi, ka mbledhur përfaqësuesit e partive për të diskutuar rreth zhvillimeve të ardhshme që e presin vendin.
Presidenti thotë se shumica parlamentare që mund ta formojë qeverinë, do ta ketë mandatarin. Ndërsa VV’së, Thaci i shkroi letër disa herë, por kryetari Albin Kurti, nuk ia ka dërguar deri tash emrin e mandatarit.
Partia Demokratike e Kosovës ka qëndruar në distancë duke potencuar vazhdimisht se vendi i saj është në opozitë për shkak se doli e treta në zgjedhje.
Derisa partitë si LDK, AAK dhe Nisma kanë shprehur interesim të formojnë një koalicion për ta krijuar qeverinë e re.