Mbretërisë së Bashkuar i është thënë që të përgatitet për një vit tjetër të distancës sociale raporton Daily Telegraf. Prof Chris Whitty tha në konferencën e përditshme të koronavirusit se bllokimi nuk do të mbarojë shpejt. Ministrat, tha ai, do të duhet të marrin në konsideratë “veprime të tjera” për të shmangur një valë të dytë të infeksioneve.
Daily Mirror përqendrohet në atë që e quan një “flakëz drite”, duke theksuar gjithashtu komentet e Z. Raab se pandemia ka arritur kulmin. Kjo vjen ndërsa kryetari i Partisë Laburiste, Sir Keir Starmer i drejtoi letër qeverisë për mungesat e pajisjeve mbrojtëse personale dhe testet për virusin.
Kritika e zotit Keir për përgjigjen “e ngadaltë” të qeverisë ndaj pandemisë është editoriali në gazetën Metro. Duke folur për qëndrimin e Kryeministrit, lideri laburist akuzoi qeverinë për dështimin për t’iu përgjigjur firmave në Mbretërinë e Bashkuar që kanë ofruar të sigurojë pajisje mbrojtëse të nevojshme për personelin e NHS.
Sipas Daily Mail pandemia është duke çuar në rritjen e rasteve të sulmeve në zemër te pacientët, të cilët presin të paktën mbi dy orë e 20 minuta ardhjen e ambulancës. Gazeta thotë se urgjenca është në ditët e veta më të vështira pasi po përballet me një rritje të kërkesës në një kohë kur shumë njerëz janë të sëmurë.
The Guardian raporton se qeverisë i është kërkuar që të ndërmarrë veprime të shpejta pasi hulumtimet e reja nga gazeta treguan se pakicat etnike në Angli po vdesin në numër të lartë dhe në mënyrë disproporcionale nga virusi në krahasim me njerëzit e bardhë. Gazeta thotë se gjetjet konfirmojnë dyshimet e ngritura nga raportet lokale, nivelet e pranimit në spital dhe gjetjet nga shtetet e tjera që grupet e pakicave përballen me rrezikun më të madh.
The Sun, raporton se qeveria është e vendosur të rekomandojë që njerëzit të mbulojnë fytyrat e tyre me diçka të thjeshtë si shall, kur janë në punë, në dyqane ose në transport publik. Kjo vjen pas një diskutimi të këshilltarëve shkencorë të qeverisë që shqyrtuan provat e mbajtjes së maskave.
Financial Times raporton se burimi jetik i financimit për vendet në zhvillim do të bjerë gjatë këtij viti si rezultat i pandemisë. Gazeta thotë se flukset e dërgesave nga e gjithë bota këtë vit do të bien me më shumë se 100 miliardë pound – rënia më e madhe në historinë e viteve fundit.