Bota
Kostoja e gënjeshtrës së Çernobylit dhe pandemia Covid-19
Opinion nga Sylë Ukshini
Sa më shumë që përhapet dhe merr jetë pandemia Covid-19 aq më shumë po shtohen dyshimet për mënyrën, kohën dhe përmasat e shpërthimit dhe përhapjes së saj nga qyteti kinez Wuhan. Përse pikërisht kjo mëdyshje për të vërtetën? Si me Çernobylin më 1986 edhe tani me koronavirusin kemi të bëjmë me dy sisteme komuniste, jo demokratike dhe është vështirë të dihet kostoja e gënjeshtrës dhe ku e vërteta kuptohet me vonesë, ajo varroset bashkë me dëshmitarët e saj. Edhe sot nuk dihet se sa është numri i të vdekurve në aksidentin e centralit bërthamor në Çernobyl, autoritetet zyrtare gjithmonë kanë mbrojtur numrin 31, ndërsa vëzhgues të ndryshëm konsiderojnë se ky numër mund të jetë deri në afro 100 mijë veta dhe rreth 300 mijë veta të zhvendosur nga zona.
I karantinizuar nën moton tashmë të njohur “Rri në shtëpi” vendosa të ndiqja 55 seritë e filmit “Çernobyl” që flet për shpërthimin e centralit atomik në ish-Bashkimin Sovjetik, ngjarje e cila pati ndikim të jashtëzakonshëm për të ardhmen e shtetit sovjetik dhe për të cilën u sakrifikuan shumë njerëz. Por, e vërteta mbase akoma nuk njihet në përmasat e plota. Filmi i shkëlqyer pesë-orësh “Çernobyl” përfundon me fjalët “Në kujtim të të gjithë atyre që vuajtën dhe sakrifikuan”. Është një shënim i përshtatshëm përfundimtar për një seri që mund të shërbejë si homazh për vetëm ata njerëz, punëtorë që vdiqën në shpërthim e këtij centrali bërthamor si dhe një nderim për ata shkencëtarë që folën të vërtetën për të siguruar që kjo tragjedi të mos ndodhte më. I strukturuar dhe i konceptuar në mënyrë të shkëlqyeshme si dhe i interpretuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Jared Harris, Emily Watson, Stellan Skarsgard, dhe më shumë, “Çernobyl” është i hidhur, por ka një fuqi të jashtëzakonshme akumulative. Secilën e konsideroja më mbresëlënëse se ajo paraprakja, pasi kompleksi i Johan Renck, vizioni i shtresuar i një kombi të tërë i ndryshuar nga një ngjarje bërthamore bëhet gjithnjë e më shkatërrues.
Është një kryevepër, por jashtëzakonisht tronditëse. Edhe pse ka skena të rënda, të rrëmben me mënyrën e interpretimit të aktorëve dhe për sekretet që zbulon për këtë ngjarje e cila tronditi asokohe Bashkimin Sovjetik dhe gjithë vendet evropiane për shkak të rrezikut të rrezatimit. Sovjetikët për vite me radhë mbajtën sekret si pasojat ashtu edhe shkaqet që çuan në shpërthimin e këtij centrali bërthamor në periudhën e Luftës së Ftohtë dhe të garës midis SHBA-së dhe BS-së.
Në pesë episode filmi “Çernobyl” tregon jo vetëm çfarë e shkaktoi këtë katastrofë nukleare të vitit 1986, por edhe për mënyrën sesi qeveria sovjetike e Michael Gorbaçovit, dhe sidomos shërbimi i tmerrshëm inteligjent sovjetik, KGB, u përpoqën që ta fshihnin brenda Bashkimit Sovjetik dhe publikut ndërkombëtar atë çfarë realisht kishte ndodhur dhe cilat do të ishin dëmet nga mbetjet radioaktive.
Filmi “Çernobyl” ashtu si Wuhani kinez na dëshmojnë sesa e cënueshme është kjo botë dhe krejt njerëzimi, çfarë potenciali marramendës bërthamor posedon sot bota dhe cila do të ishin pasoja e tij në rast të ndonjë çrregullimi aksidental apo përdorimi agresiv nga vende e regjime jodemokratike? Edhe mënyra sesi në Wuhan doli korona virusi ka lënë shumë pyetje të hapura. Një herë u tha se mori fund, tash sërish thuhet se është margjinalizuar. Ndërkohë numri i vdekjeve në Evropë dhe në SHBA është i jashtëzakonshëm, mbase numrin real në Kinë nuk do ta kuptojmë asnjëherë.
Në një nga skenat e filmit, Valery Legasov (Jated Haaris) kimisti sovjetik dhe përgjegjësi për të hulumtuar se çfarë kish shkuar pyet “Cili është çmimi i gënjeshtrës?”. Sa më shumë hulumtohen shkaqet e vërteta të aksidentit aq më e pasigurt bëhet jeta për kimistin sovjetik dhe ekipin e tij. Sovjetikët i frikëson vetëm e vërteta, ata duan ta dëgjojnë dhe ta përhapin vetëm gënjeshtrën, ngjashëm si bëjnë tani rusët shumë gjëra në hapësirën tonë dhe më gjerë.
“Rreziku i vërtetë është se nëse ne dëgjojmë gënjeshtra, atëherë ne nuk do të arrijmë që të dallojmë të vërtetën”, thotë kimisti i përkushtuar sovjetik. Në këtë histori nuk ka rëndësi se kush janë heronjtë. E gjithë që duhet ta dinë është, kush duhet fajësuar?”
“Nuk je një hero. Jo thjeshtë një njeri i mbaruar dhe që e ka harruar vetveten”, i thotë kimistit, njeriu i ftohtë i KGB-së. Në anën tjetër kimisti i përgjigjet: “E di kush jam dhe çfarë kam bërë. Në një botë të drejtë do të më qëllonin për gënjeshtrat, por jo për këtë, jo për të vërtetën”. Lufta për të vërtetën vazhdon me kërcënimin për jetë. “Shkencëtarët… dhe fiksionet e tua idiote… kur të vijë plumbi pas koke, ç’vlerë do të ketë?” thotë njeriu i fuqishëm i shtetit sovjetik.
Më tej kimistit i bëhet e qartë se puna e tij e madhe e sintetizuar në një raport profesional nuk do të pranohej dhe as nuk do të shpërndahej për shtyp. “Nuk do të komunikosh me askënd për Çernobylin”, është mesazhi që merr kimisti. Ai po ashtu e kupton se tani tutje do të jetonte aq sa dëshironte regjimi komunist, por jo si shkencëtar, pa miq, pa autoritet. “Do të mbetesh kaq i parëndësishëm për botën rreth teje sa kur të vdesësh do të jetë jashtëzakonisht e vështirë ta kuptosh që ke jetuar ndonjëherë”, është ndëshkimi që merr kimisti i përkushtuar nga shteti i tij sovjetik.
E kupton se të jesh shkencëtar duhet të jesh naiv, sepse ata që janë të përqendruar në kërkimin e së vërtetës sa nuk e kuptojnë sa pak veta e gjejnë atë. Por, ajo është gjithmonë aty, e shohim ose jo, pavarësisht nëse zgjedhim ta shohim ose jo. E vërteta nuk do t’ia dijë për nevojat apo dëshirat tona.
E vërteta nuk do t’ia dijë për dëshirat e qeverive
Pra, nuk do t’ia dijë as për qeveritë tona, për ideologjitë tona, fetë tona. Do të qëndrojë në pritje të gjithë kohës. Fundja, kjo është dhuntia e Çernobylit. Kur kisha frikë për koston e të vërtetës, tani pyes, cila është kostoja e gënjeshtrës? Kur përfundon incizimin kimisti Valery Legasov vrau veten, në moshën 51-vjeçare më 28 prill 1988, fiks dy vjet pas shpërthimit të Çernobylit. Pas vdekjes së tij, zyrtarët sovjetikë më në fund njohën gabimet e projeksionit të reaktorit bërthamor të Bashkimit Sovjetik. Më pas reaktorët u riparuan për të parandaluar përsëritjen e një aksidenti tjetër si ai i Çernobylit.
Në film dokumentohet se 400 minatorë bënë një punë të jashtëzakonshme ditë e natë për një muaj për të ndaluar shkrirjen totale bërthamore, e cila do të kishte pasoja edhe më të mëdha nga radioaktiviteti, i cili pushtoi pothuaj gjithë qiellin e Evropës në atë kohë. Vlerësohet se, të paktën 100 minatorë vdiqën para moshës 40 vjeçare.
Mbi 600 mijë njerëz u rekrutuan për të shërbyer nën Zonën e Përjashtimit. Pavarësisht përhapjes së sëmundjes dhe vdekjeve si rezultat i rrezatimit, qeveria sovjetike nuk ruajti të dhënat zyrtare për fatin e tyre. Rajoni i ndotur i Ukrainës dhe i Bjellorusisë, njëkohësisht Zona e Përjashtimit përfshinte 2600 kilometra katrorë. Rreth 300 mijë njerëz u shpërngulën nga shtëpitë e tyre. U thanë që do të ishte e përkohshme, por edhe sot është e ndaluar të kthehen. Pas shpërthimit kishte një rritje dramatike të numrit të të prekurve me kancer në Ukrainë dhe Bjellorusi. Numri më i lartë ishte ndër fëmijët. Në fakt, ka edhe sot e kësaj dite të sëmurë nga rrezatimi i madh i Çernobylit. Por, edhe sot nuk dihet kostoja e vërtetë njerëzore e Çernobylit. Shumica e vlerësimeve variojnë nga 4 mijë në 93 mijë vdekje. Ndërsa, që nga viti 1987, numri zyrtar i vdekjeve mbeti i pandryshuar – ai është 31 veta.
Më 2017, puna u përmbush me mbylljen e re të sigurt të Çernobylit me një kosto afro 2 miliardë dollarë.
Por pavarësisht, tentativës për ta mbajtur të fshehur të vërtetën për shpërthimin e Çernobylit, ajo pati pasoja edhe më të mëdha saqë mund të kishte paramenduar ndokush edhe brenda qeverisë sovjetike në Moskë. Vetë Michael Gorbaçov, i cili drejtoi Bashkimin Sovjetik deri në shpërbërjen e tij me 1991, më 2006 shkroi: “Shpërthimi bërthamor në Çernobyl ishte ndoshta arsyeja e vërtetë e rënies së Bashkimit Sovjetik”.
Edhe në rastin e dëmeve në njerëz dhe në ekonomi nga Covid-19 nuk mund të thuhet sesa do jetë, por ajo që vlerësohet se kjo pandemi është sfida më e madhe e botës që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Me gjasë edhe kinezët, ashtu si dikur sovjetikët, e kanë fshehur të vërtetën për disa javë, madje, edhe për disa muaj për eksplodimin e virusit në Wuhan. Nëse Çernobil u bë paralajmërim i dekompozimit të Bashkimit Sovjetik si shtet, Wuhan çfarë paralajmërimi jep për Kinën dhe rendin ndërkombëtar?
Bota
Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë
Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një paralajmërim urgjent pasi mijëra pasagjerë mund të jenë ekspozuar ndaj fruthit, sëmundjes më ngjitëse në botë, në aeroportin ndërkombëtar Neëark Liberty në New Jersey.
Sipas Departamentit të Shëndetësisë të New Jersey-t (NJDOH), një person i infektuar, jo rezident i këtij shteti, ka udhëtuar nëpër terminalet B dhe C më 19 dhjetor, mes orës 07:00 dhe 19:00, gjatë kulmit të udhëtimeve festive.

Zyrtarët paralajmërojnë se vendndodhja e saktë e personit nuk dihet, ndërsa po kryhet gjurmimi i kontakteve. Personat e ekspozuar mund të shfaqin simptoma deri më 2 janar 2026. Fruthi shfaqet me temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh, sy të skuqur dhe skuqje të lëkurës, ndërsa mund të shkaktojë ndërlikime të rënda, si pneumonia dhe encefaliti.
Sipas CDC-së, në SHBA janë regjistruar mbi 2000 raste fruthi gjatë vitit 2025 dhe tre viktima, duke e bërë këtë shpërthimin më të madh që nga viti 1992.
Ekspertët fajësojnë rënien e normave të vaksinimit, duke theksuar se vaksina MMR mbetet mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjes. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të kontaktojnë mjekun para çdo vizite shëndetësore në rast dyshimi për ekspozim.
Bota
20 pikat e Zelenskyt për t’i dhënë fund luftës, Rusia kundër!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka prezantuar një plan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, të cilin e ka cilësuar si “përpjekjen më të mirë” për arritjen e paqes. Drafti, i diskutuar së fundmi me përfaqësues të SHBA-ve dhe i paraqitur edhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, konsiderohet rreth 90% i përfunduar, por mbetet ende i hapur për disa çështje kyçe.
Plani përfshin një sërë masash që synojnë stabilizimin e situatës në Ukrainë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
Çfarë parashikon plani?
Mes pikave kryesore janë ngrirja e vijës së frontit, krijimi i një ushtrie të fuqishme ukrainase prej rreth 800 mijë trupash, e mbështetur financiarisht nga partnerët perëndimorë, si dhe vendosja e garancive të forta të sigurisë, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Gjithashtu, parashikohet anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Europian, me kërkesën që të përcaktohet një afat i qartë për këtë proces. Kievi kërkon që kjo të jetë një garanci politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit.
Siguria dhe garancitë ndërkombëtare
Plani përfshin një marrëveshje dypalëshe sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetje ushtarake nga vendet evropiane, përfshirë mbrojtjen ajrore, tokësore dhe detare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një mekanizmi monitorimi për të shmangur rifillimin e luftimeve dhe për të garantuar respektimin e marrëveshjes.
Një tjetër element i rëndësishëm është lirimi i të gjithë robërve të luftës dhe civilëve të ndaluar, si dhe organizimi i zgjedhjeve pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Donbasi, nyja më e ndërlikuar
Rajoni i Donetskut mbetet pika më e vështirë e negociatave. Kievi refuzon çdo skenar që parashikon dorëzimin e territoreve të pushtuara dhe propozon krijimin e një zone të çmilitarizuar, ku të dyja palët të tërhiqen dhe siguria të garantohet nga forca ndërkombëtare.
Çështja e Zaporizhzhias
Një tjetër pikë e ndjeshme është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, aktualisht nën kontroll rus. Zelensky propozon që ai të funksionojë si një “joint venture” mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, me administrim të përbashkët dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. Sipas tij, kjo do të garantonte sigurinë energjetike dhe do të shmangte rreziqet e një aksidenti bërthamor.
Qëndrimi i Moskës
Nga ana tjetër, Moska ka reaguar me tone të ashpra. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Perëndimi po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të pranojë kushte të pafavorshme, ndërsa ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë operacionet ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje “e pranueshme”.
Putin ka theksuar se kontrolli i plotë i rajonit të Donetskut mbetet një nga objektivat strategjikë të Rusisë, duke e konsideruar atë një zonë kyçe për sigurinë dhe interesat e saj.
Bota
Peskov: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trump, bisedimet në fazën përfundimtare
Kremlini tha se pajtohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare.
I pyetur nga gazetarët nëse Moska ndan vlerësimin e Trump pas bisedimeve me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht”.
Peskov refuzoi të komentojë mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas ose mbi të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili kontrollohet nga Rusia, duke thënë se Kremlini e konsideronte të papërshtatshme.
“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje”, tha ai.
Sipas tij Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon nëse dëshiron paqe dhe se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë edhe më shumë territor.
Putin dhe Trump folën të dielën përpara takimit të Trump në Miami me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.
-
Albania8 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK7 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports7 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania8 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania24 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania23 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
