Vendimin e njoftoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying, në kohën kur po rriten kritikat ndaj OBSH-së të udhëhequra nga presidenti amerikan Donald Trump
Kina ka vendosur t’i dhurojë një shumë shtesë prej 30 milionë dollarësh Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të mbështetur luftën e saj globale kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Vendimin e njoftoi zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Hua Chunying, në kohën kur po rriten kritikat ndaj OBSH-së të udhëhequra nga presidenti amerikan Donald Trump.
Chunying tha se donacioni do të mbështesë luftën e OBSH-së kundër pandemisë, “në veçanti do të forcojë sistemet shëndetësore të vendeve në zhvillim”.
Ajo tha se Pekini zyrtar ka dhuruar 20 milionë dollarë për organizatën më 11 mars.
“Në këtë moment kritik, mbështetja e OBSH-së është mbështetje për Multilateralizmin dhe Solidaritetin Global”, shkroi Chunying në rrjetet sociale.
Trump ka shkurtuar ndihmën financiare amerikane për organizatën, duke kritikuar “paralajmërimet e saj të vonshme” kundër pandemisë së koronavirusit që infektoi mbi 2.6 milionë njerëz në të gjithë globin dhe që shkaktoi vdekjen e mbi 183 mijë njerëzve.
OBSH kundërshtoi akuzat ndërsa kreu i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shpresonte që “ngrirja e fondeve do të rishqyrtohet dhe se SHBA do të mbështesë edhe një herë OBSH-në”.