Dr. Roland Qafoku
Situata e përhapjes së coronavisurit ishte bërë e frikshme. Numri i të infektuarëve po rritej çdo ditë dhe numri i të vdekurve ndonëse me shifra të ulta tregonte se Shqipëria ishte pjesë e pandemisë botërore. E ndërsa kryeministri ishte fokusuar në marrjen e masave, thirrjet për të qendruar në shtëpi dhe organizimin e strukturave, Lulzim Basha rinisi përplasjen 4 ditë më pas.
Më 14 mars Basha iu drejtua Ramës me një status në facebook duke i drejtuar 8 pyetje mes të cilave më e rëndësishmja ishte:“Duhet që qeveria të bëjë detyrën e saj dhe jo atë të mjekut. Kjo krizë kërkon masa jo sot për sot, por veprime të qarta dhe nje plan afatgjatë. Duke menduar vetëm për sot, neglizhohet çfarë do të ndodhë pas dy ditësh apo pas një jave. Kufizimet e forta kërkojnë jo kërcënime me gjoba dhe shthurje gjuhe, por zgjidhje të forta, fonde shtesë dhe masa të posaçme mbështetëse. Kryeministri u duk sikur e shpërfilli kreun e opozitës duke treguar se nuk ia kishte shumë kohën dhe se menaxhimi i situatës ishte prioritet dhe jo përplasja me të. Por nuk vonoi shumë se më 19 mars ra në “grackën” e Bashës duke thënë: “Plani 7×7=42 është zgjuar sot me rritje të shifrave! Deri kur të mbarojë lufta shifrat do kapin nivelin e një vendi të G7-ës! Pritet shifra e parashikuar nga Plani për aktorët e Portokallisë, meqë janë mbyllur në shtëpi ndërkohë që po u bëhet konkurrencë e pandershme nga 7×7=42!”
Më 22 mars Lulzim Basha realisht korri një fitore tjetër në betejën e tij politike të re. Ishte ai që propozi 3 kërkesa ku më e rëndësishmja ishte: “Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të mbyllen call center-s, fasoneritë dhe sipërmarrjet e tjera me numër të madh punonjësish në një hapësirë të mbyllur që kanë probabilitet të lartë për të përhapur virusin”. Këtë gjë Rama e bëri pas dy ditësh. Më 24 mars shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore kur kurba e të prekurve në një ditë më parë ishte 15 dhe ai i përgjithshëm 104, ndërsa 4 persona kishin ndërruar jetë.
Ishte ky moment që në Shqipëri krahas pasojave të coronavisurit po shfaqeshin problem të rënda ekopnomike deri në mungesën e ushqimeve për një kategori personazh. Ishte mëse e nevojshme ndërhyrja në buxhetin e shtetit për ti vënë në dispozicion të situatës. Këtë e shfrytëzoi Lulzim Basha, i cili më 28 mars tha:“Borxhit publik këta i kane martuar nënë e babë prej kohësh, kështu që s’është çështja e borxhit publik. Çështja këtu është të veprohet urgjentisht për të mbështetur njerëzit në nevojë, për të mbështetur shëndetësinë dhe ekonominë dhe për këtë mjafton te ndërpritet çdo shpenzim tjetër i panevojshëm, të anulohen 120 milionë euro kontrata koncesionare”! Rama dukej sikur nuk i bënin përshtypje këto deklarata, por më 19 mars, në një lidhje direkte me Top Channel, në celularin e gazetares Eni Vasili u shfaq një mesazh me emrin e Lulzim Bashës të cilin ajo e lexoi fjalë për fjalë, ku shkruhej: A mund të largoheni dhe të marr frenat e qeverisë? Rama aty për aty iu përgjigj me stilin tipi të tij. “Nuk duhet t’ja vëmë re, se me siguri është në gjumë dhe shtyp tastierën në funksion të një ëndrre që ka. Si mund ta bëjë këtë pyetje. Dikush mos i ka marrë telefonin, se është jashtë cdo imagjinate.”
PD dhe vetë Basha e mohoi të kishte dërguar një mesazh të tillë duke bërë fajtor Ramën dhe të tijtë që sipas Bashës duhet të kenë ndërhyrë në kompaninë celulare dhe kanë dërguar atë mesazh të “falsifikuar” me fjalët: “Shqiptarët kërcënohen nga rreziqe të mëdha. Edi Rama ndal sulmet politike, fillo bëj punën për të cilën paguhesh”. Çështja përfundoi në prokurorinë e Tiranës duke u bërë e para e këtij lloji që kishte për protagonist kryetarin e opozitës por edhe kryeministrit të paditur prej tij.
Beteja vijoi me propozime të Bashës e fokusuar në ndihmën ndaj njerëzve në nevojë, por Rama zgjodhi twitter-in për të kthyer përgjigje më 9 prill: “LBPD nuk mendon si të ndihmojë,se as nuk do as nuk di, po vazhdon avazin e vjetër 7×7=42 dhe ëndërron protesta të mëdha nesër,duke i thënë popullit sot se Covidi është Sudja me thasë me para! Shqipëria do ta fitojë këtë luftë dhe LBPD do t’i mbetet vetëm turpi e dështimi i radhës”. Por më 10 prill kryeministri Rama u duk sikur i hodhi një dorashkë kundërshtarit Basha teksa deklaroi se opozitës portugeze që në këtë periudhë la pas sulmet dhe u bashkua me ekzekutivin kundër koronavirusit, që gjë sipas tij PD-ja dhe aleatët e saj në Shqipëri nuk e kanë bërë. Dhe të dy ata në fakt ata u bënë bashkë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga presidenti i Rerpublikës Ilir Meta.
Ndonëse on line, më 15 prill, Basha tha për Ramën: “Ftesa ime ndaj kryeministrit është që gjithë vëmendjen dhe energjinë e tij ta fokusojë te puna jashtëzakonisht e rëndësishme që ka për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe ekonominë e shqiptarëve dhe këtu opozita do të vazhdojë të jetë konstruktive, propozuese dhe të ofrojë pa asnjë kufizim të gjithë ekspertizën sikurse e ka ofruar deri sot.” Rama e vlerësoi pjesëmarrjen e kreut të opozitës por nuk e pranonte kurrë që Basha kishte të drejtë për rritjen e numrit të testimeve sepse kjo sipas tij të krijonte një situatë të komplikuar.
Më 21 prill Basha tha në Top Channel për Ramën: “Na thuhej se po të duhej bëheshin 2 mijë testime në ditë, pastaj dilte që kapacitetet tona testuese ishin 200 në ditë. Dilte që stoku i kiteve të testimit ishte edhe më i ulët. Pra prej fillimit kemi të bëjmë me monopolizim të të dhënave, me shtrembërim të të dhënave dhe në funksion të kësaj është dhe fakti që Shqipëria ka sot numrin më të ulët të testimeve, ndër më të ulëtat në Europë, qartësisht më të ulët se vendet fqinje”. Rama u duke sikur ra në heshtje, por Basha vetëm 24 më pas ngritur një çështje në ndihmë të medias dhe mori vëmendjen e të gjithë medias.
Më 22 prill ai tha për Ramën: “Kërkoj edhe njëherë që pjesë e vëmendjes për sektorët e rrezikut të jetë edhe media, gazetarët e terrenit dhe operatorët që janë përcjellësit e transparencës”. Por Rama nuk e përfshiu median por për gazetarë të terrenit.
Ndërkohë, po atë ditë Basha bëri deklaratën më politike të kësaj situate. Basha tha për Ramën: “E gjithë strategjia e Edi Ramës në këto vite është bazuar në shiblerjen e votës dhe nuk ka gjë më mirë që e tregon këtë sesa tërheqja me turp nga padia që bënë me tam-tame ndaj gazetës Bild, e cila ekspozoi se si ka ardhur në pushtet Edi Rama. Në qoftë se zgjedhjet bëhen nesër apo të dielën e ardhshme është e qartë se Partia Socialiste do të ketë një katastrofë elektorale të paprecedentë në 30 vite dhe të merituar”.
Me këto fjalë na duket sikur jemi jo në një situatë pandemie, por në një fushatë zgjedhjesh. Një situatë që as Rama e as Basha nuk e shmangën dot. Dhe gjasat janë të vijojnë me këto ritme duke na treguar se ngjarjet e paparashikushme në Shqipëri janë treguesi më i qartë se si bëhet politikë. Rama dhe Basha e kanë më të theksuar këtë. Dhe në betejën e komunikimit mes tyre, janë të fituar të dy. (Gazeta “Fjala”)
Autori: Roland Qafoku, Doktor i Shkencave të Komunikimit, analist dhe autor, pedagog në Universitetin e Tiranës