Talibanët kanë refuzuar të premten një ofertë të Qeverisë afgane për armëpushim gjatë muajit të Ramazanit, duke thënë se një veprim i tillë nuk është “i arsyeshëm”.
Të dyja palët kanë mosmarrëveshje mbi procesin e paqes në vendin e plandosur nga luftimet.
Oferta e qeverisë në Kabul është adresuar më 23 prill nga vetë presidenti Ashraf Ghani, para fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, ndërsa Afganistani është duke e zhvilluar një betejë të ashpër me pandeminë e koronavirusit, raporton Reuters.
Zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen, e hodhi poshtë ofertën, duke thënë se militantët do të vazhdojnë të luftojnë, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me Qeverinë lidhur me një marrëveshje të mundshme paqeje, si dhe vonesat në shkëmbimin e të burgosurve, transmeton KOHA.
“Të kërkosh armëpushim nuk është gjë e arsyeshme dhe bindëse”, ka shkruar Shaheen në Twitter, derisa e akuzoi Qeverinë se po rrezikon jetën e të burgosurve gjatë pandemisë.
Një marrëveshje historike e nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe talibanët më 29 shkurt i bën thirrje Qeveria afgane që t’i lirojë 5.000 luftëtarët talibanë, si pjesë e masës për rikthimin e besimit para se të fillojnë bisedimet zyrtare të paqes, të cilat synojnë t’i japin fund konfliktit 18-vjeçar në Afganistan.
Qeveria në Kabul, e cila e gëzon mbështetjen e Perëndimit, ka liruar më shumë se 480 të burgosur talibanë që nga 8 prilli, ndërsa militantët kanë liruar 60 zyrtarë të sigurisë afgane.
Shkëmbimi i të burgosurve ishte planifikuar të përfundonte deri më 10 mars, para fillimit të bisedimeve brendaafgane të paqes, por procesi është vonuar shkaku i mosmarrëveshjeve midis dy palëve.