Një nga sëmundjet më shkatërruese dhe me pasoja të rënda demografike për Evropën mesjetare, pa asnjë dyshim, qe murtaja, e cila në Kontinentin e Vjetër kishte ardhur nga Kina e largët. Epideminë e murtajës të tipit bubonik (limfatik) e përhapnin minjtë e zi të ardhur në Evropë nga kontinenti aziatik, ndërsa nga minjtë te njeriu bartej nga pickimi i pleshtave.
Ndryshe kjo sëmundje quhej edhe “Vdekja e zezë”, emër ky që vinte si pasojë e gangrenës së gishtërinjve, hundës dhe buzëve, të cilat me kalimin e kohës merrnin ngjyrë të zezë. Pikësëpari kjo epidemi ishte pasojë e kushteve të dobëta higjienike, mungesës së kulturës shëndetësore të popullsisë, njohurive të pakta mjekësore dhe masave joadekuate të pushteteve vendore për parandalimin e epidemisë.
Në shekullin XIV kjo sëmundje shkaktoi me miliona viktima në Evropë duke zvogëluar numrin e popullsisë nga 30 deri në 60 për qind, ndërsa në Kinë numri i popullsisë ra nga 120 milionë në rreth 65 milionë. Një nga format më të përhapura të saj ishte murtaja e mushkërive. Ajo transmetohej lehtë nëpërmjet frymëmarrjes, nga kontaktet e brejtësve me ushqimin dhe kafshët shtëpiake. Kjo tregonte se bakteri i murtajës limfatike me kalimin e kohës kishte pësuar mutacion dhe kishte filluar të përhapej me anë të frymëmarrjes nga personi i infektuar te njeriu i shëndoshë, shkruan KOHA.
Duhani, karantina e izolimi – masa ndaj murtajës
Masa mbrojtëse kundër epidemisë së murtajës konsideroheshin: pirja e duhanit, karantina ose izolimi i zonave të infektuara, ndezja e vendbanimeve dhe veshmbathjes së të infektuarve, varrosja në varreza kolektive të dezinfektuara etj.
Të gjitha këto masa filluan të merren në Evropë, vetëm në fillim të shekullit XVII, që solli rrallimin e ndjeshëm të kësaj epidemie një shekull më pas. Këtu ndikoi zëvendësimi i shtëpive prej druri, ku minjtë gjenin strehim, me banesa të ndërtuara prej guri dhe materiale të tjera të pavolitshme për brejtësit; ndryshimi i shprehive higjienike dhe pastërtia e rritur në mirëmbajtjen e shtëpive; largimi nga objektet e banimit të kafshëve të vogla, bartëse të këtyre sëmundjeve. Kanë ekzistuar edhe disa forma primitive të vaksinimit kundër murtajës.
Kështu në Anglinë e shekullit XVII përgatitej një medikament shërues, ku merrej djersa nga viktima e murtajës dhe përzihej me gjakun e një pëllumbi të vrarë, por nuk dihet se si aplikohej kjo te personat e shëndoshë, nëse kjo përzierje pihej apo grithej me këtë përmbajtje personi i shëndoshë apo i sëmuri.
Shënimet e Pjetër Mazrekut për gjendjen në Ballkan
Perandorinë Osmane epidemia e murtajës filloi ta godiste vetëm në fillim të shekullit XVII dhe që nga ajo kohë e deri në shekullin XIX kjo sëmundje vazhdoi të ishte një element shkatërrues i saj. Në burimet osmane ajo njihej me dy emra: taun dhe veba. Me taun quhej murtaja e gjëndrave, ndërsa me veba përfshiheshin të gjitha sëmundjet ngjitëse. Me kalimin e kohës me këtë term u identifikua vetëm murtaja, ndërsa me taun do të emërohej vetëm murtaja e gjëndrave limfatike. Meqenëse sëmundja krahas njeriut godiste edhe kafshët, përhapja thellonte edhe më shumë varfërinë, duke vështirësuar punët bujqësore, lëvizjen e lirë, tregtinë dhe transportin e mallrave.
Një nga format preventive kundër saj ishte dezinfektimi i personit të infektuar dhe rrobave të tij, gjë që bëhej nga një përzierje e sulfurit dhe elementeve të tjera, pastaj shmangia e kontakteve fizike me të sëmurët dhe sendeve të tjera të dyshimta. Por është interesant se anëtarët e familjes së infektuar vazhdonin të hanin në një tryezë, duke anashkaluar kontaktet fizike, dhe nga gjërat ushqimore vetëm me bukën kishin kujdes të mos e preknin.