Manifestimet më të lashta artistike njerëzore pa dyshim janë fillet e muzikës dhe të vallëzimit e pas tyre pikturat primitive nëpër shpella, në të cilat jetonin paraardhësit e njeriut të sotëm nga të cilat dita-ditës dalin në pah pikturat e lashta të cilat për motive i kishin skenat nga jeta e përditshme. Vitin e kaluar është zbuluar piktura me skenë më të lashtë të gjahut. Fjala është për shpellën Sulawesi në Indonezi, ku është zbuluar një pikturë me paraqitje të një skene të gjahut, të cilën ekspertët e datojnë në periudhën kohore të 42 000 vjetëve para erës sonë, gjë që e bën këtë pikturë më të lashtën në botë.
Piktura është bërë me ngjyra, me përbërje natyrore, falë së cilave edhe u ka rezistuar kohës dhe ndikimeve të natyrës. Konsiderohet që kemi të bëjmë me një zbulim i cili për shkak të cilësive të veta pa dyshim që do t’i ndërrojë librat e historisë së artit. Duhet cekur që piktura është gjetur në brendi të shpellës në thellësi prej mbi 20 metrash, gjë që e shpjegon gjendjen e mirë pa dëmtime të pikturës, si dhe faktin pse nuk është zbuluar deri më tash, shkruan KOHA.
Në bazë të analizave multidisiplinare ekspertët kanë konstatuar vjetërsinë e kësaj pikture, si dhe faktin që në këtë pikturë në fillim ishin pikturuar prapavija dhe figurat e kafshëve, ndërsa këtyre iu ishin shtuar më vonë edhe figurat e njerëzve-gjuetarëve. Një pikturë tjetër e rrallë që paraqet një skenë seksi është gjetur në një shpellë në Serra da Capybara dhe datohet në periudhën para 10 000 vjetëve. Piktura është punuar me ngjyrë oker me paraqitje skematike primitive të një çifti njerëzish duke bërë seks.
Sipas ekspertëve të artit parahistorik, është kjo një formë grafike e komunikimit që e kanë përdorur grupet e njerëzve parahistorikë në rajonin ku sot gjendet parku nacional Serra da Capybara i Brazilit, në kuadër të të cilit është edhe muzeu më i madh i hapur në Amerikën Latine me rreth 940 lokalitete arkeologjike, ku janë gjetur mjaft piktura në mure të shpellave, të cilat vlerësohen që janë të vjetra deri 29 000 vjet.
Gjetjet e “Venerave” paleolitike
Një figurinë e idhullit femëror e pagëzuar “Venera paleolitike” është gjetur në Amiens (Amien) të Francës, në lagjen Renancourt (Renankur). Figurina paraqet një idhull të pjellorisë, dhe i ka të theksuara karakteristikat sekondare femërore (gjinjtë, vithet), ndërsa kronologjikisht i përket periudhës prej 30 000 deri 23 000 vjetëve para erës sonë. Kjo gjetje është shpallur nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve Arkeologjike i Francës si e jashtëza konshme meqë është zbulim tejet i rrallë, gjë të cilën e dëshmon fakti që deri më tash janë zbuluar vetëm disa dhjetëra figurinash të këtilla në botë nga të cilat e fundit, para kësaj, ishte gjetur në Dordogne (Dordonjë) të Francës në vitin 1959.
Një figurinë e ngjashme prej guri ranor e lartë 10 centimetra, e pagëzuar “Venera e Piatra Neamt”, është gjetur në gjendje tejet të mirë në Caraa, afër Piatra Neamt në Rumaninë verilindore gjatë gërmimeve arkeologjike nga arkeologët e Muzeut të Evolucionit Human dhe Teknologji në Paleolitik, analizat laboratorike kanë treguar që lashtësia e kësaj figurine është rreth 17 000 vjet dhe paraqet skulpturën më të vjetër prej guri të zbuluar në Rumani e madje edhe në këtë pjesë të Evropës.
Figurina i ka cilësitë e stilit paleolitik gravettian dhe paraqet një idhull të pjellorisë me atribute të theksuara femërore. Kjo gjetje bashkë me figurën e “Veneres së Willendorfit” të gjetur 100 vjet më herët në Willendorf të Austrisë e begatojnë trashëgiminë paleolitike botërore.