Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një interviste televizive ka nënvizuar se qeveria ka shpërndarë për 1 muaj vetëm 10 milionë euro për qytetarët.
“Ne kemi të dhëna sasiore nga INSTAT, që tregojnë se paketat nuk prekin as 1/4-ën e njerëzve në nevojë, ndërsa disbursimi është me pikatore dhe për këtë burimi është thesari i shtetit. Sot, PD, përmes zonjës Tabaku, publikoi një material që tregon se deri ditën e sotme vlera totale e disbursuar për paketën e parë është rreth 10 milionë euro”, tha Basha.
“Një javë pasi kishte nisur pandemia i paguan 22 milionë euro 4 oligarkëve, ndërsa për dhjetëra mijëra familje që u takon kjo shumë me VKM, 10 milion euro deri ditën e sotme. Kjo është e dhënë e Thesarit të Shtetit, e gjurmuar nga një organizatë e transparencës publike, që është Open Data Albania dhe e bërë publike nga opozita. Këto janë faktet, nuk është as imagjinatë e opozitës dhe as dashakeqësi për të nxirë realitetin”, u shpreh kreu i PD.
“Kaloi 1 muaj i emergjencës civile, u zgjat emergjenca civile dhe akoma nuk ka përfunduar ekzekutimi i paketës së parë. Edhe një fakt tjetër dua t’u them në këtë drejtim. Më 17 mars zoti Rama premtoi se në fund të marsit pagesat do të kishin përfunduar, do t’i merrnin të gjithë. Sot akoma nuk ka përfunduar pagesa e paketës së parë. 10 milionë euro është shifra nga thesari i shtetit. Pra jemi shumë vonë dhe kjo nuk është çështje shifrash, është çështje dhimbje është çështje vuajtje, është çështje tavolinash bosh, është çështje pasigurie për mijëra familje”, nënvizoi Basha./ATSH/