Show - Biz
Koronavirus: A ka marrë Suedia vendimin e duhur?
Strategjia e Suedisë për ta mbajtur shoqërinë të hapur u mbështet gjerësisht nga publiku. E deklaruar nga shkencëtarët, kjo strategji është mbështetur nga qeveria, megjithëse jo të gjithë virologët e vendit janë të bindur për këtë.
Nuk ka asnjë bllokim në Suedi. Fotot e shpërndara në rrjetet sociale i tregojnë botës kafenetë e mbushura, popullimin e parqeve në natyrë dhe radhë të gjata në kioskat për akullore, dhe prapëseprapë është një mit që jeta këtu vazhdon “si normale”.
Por, të dhënat sugjerojnë se shumica e popullsisë po respekton distancimin shoqëror vullnetar, që është thelbi i strategjisë së Suedisë për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
Përdorimi i transportit publik ka rënë ndjeshëm, një numër i madh po punojnë nga shtëpia, dhe shumica e popullsisë nuk udhëtoi gjatë fundjavës së Pashkëve. Qeveria ka ndaluar gjithashtu mbledhjet e më shumë se 50 personave dhe vizitat në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit.
Sipas studimit të kompanisë Novus, rreth 9 në 10 suedezë thonë se ata qëndrojnë të paktën një metër larg njerëzve, nga 7 në 10 një muaj më parë.
Sa serioz është shpërthimi i koronavirusit në Suedi?
Sipas Agjencisë Suedeze të Shëndetit Publik, mënyra sesi njerëzit kanë reaguar është për t’u festuar, megjithëse me kujdes.
Qasja e shkencëtarëve është bërë objekt i debateve globale nëse Suedia ka miratuar një plan të arsyeshëm dhe të qëndrueshëm, apo padashur e ka zhytur popullsinë e saj në një eksperiment që do shkaktojë vdekje të panevojshme, dhe mund të dështojë të mbajë nën kontroll përhapjen e Covid-19.
Në Stokholm, epiqendra e virusit deri më tani, rastet janë përhapur në masë të madhe, megjithëse në fund të kësaj jave pati një ulje të shpejtë, kjo për arsye të të rritjes së testimit.
Megjithatë ka ende hapësira në njësitë e kujdesit intensiv dhe është në dispozicion edhe një spital i ri i ngritur për këtë arsye.
Në dallim nga vendet e tjera, ku liderët politikë janë përballuar personalisht reagimin kombëtar ndaj krizës, në Suedi epidemiologu Dr. Tegnell ka udhëhequr shumicën e konferencave për shtyp.
Ai është përqëndruar vetëm te shifrat dhe ka përmendur shumë pak ndikimin emocional të krizës tek viktimat dhe familjet e tyre.
Agjensia Suedeze e Shëndetit Publik ka mbajtur vlerësime të larta miratimi në të gjithë pandeminë.
Pse Suedia zgjodhi një rrugë të ndryshme?
Vendimi i Suedisë për të lënë shoqërinë të hapur në dallim nga shumica e Evropës erdhi pasi ekipi i Dr. Tegnell përdori simulime, të cilat parashikonin një ndikim më të kufizuar të virusit në lidhje me madhësinë e popullsisë sesa ato të bëra nga shkencëtarë të tjerë, përfshirë edhe raportin e paraqitur nga Imperial College, Londër.
Ky raport me sa duket lëkundi dhe detyroi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për të vendosur bllokimin.
Synimi thelbësor ishte prezantimi i masave më pak të rrepta të distancimit shoqëror që mund të mirëmbahen për një periudhë të gjatë kohore. Shkollat për nxënësit nën-16 vjeç kanë mbetur të hapura për t’u mundësuar prindërve të vazhdojnë të punojnë në fushat kryesore.
Të gjitha vendet e tjera nordike zgjodhën kufizime të rrepta të përkohshme, megjithëse disa prej tyre që nga atëherë kanë qenë të qeta.
Suedia, me një popullsi prej 10 milion banorë, mbetet në mesin e 20 vendeve më të mira në botë kur bëhet fjalë për numrin e përgjithshëm të rasteve, edhe pse kryesisht teston vetëm ato me simptoma të rënda. Tani janë duke u bërë kontrolle më të përhapura në punonjësit e institucioneve kyçe.
Ajo ka shkallë më të lartë të vdekjeve në raport me popullsinë se kudo tjetër në Skandinavi.
Për dallim nga disa vende, statistikat e Suedisë përfshijnë banorët e shtëpive të kujdesit për të moshuar, të cilët përbëjnë rreth 50% të të gjitha vdekjeve. Dr. Tegnell pranon se është një shqetësim i madh.
Banorët e huaj, veçanërisht ata nga Somalia që jetojnë në familje me shumë gjenerata, gjithashtu janë shumë të përfaqësuar në shifra.
“Ka shumë njerëz që vdesin,” tha Claudia Hanson, një epidemiologe me qendër në Karolinska Institutet, objekti më i madh i kërkimit mjekësor në Suedi. Ajo është kritike ndaj qasjes së qeverisë dhe argumenton se shoqëria duhej të ishte mbyllur përkohësisht që në muajin mars ndërsa zyrtarët morën situatën.
Dr. Hanson është në mesin e 22 shkencëtarëve që shkruan në të përditshmen kryesore të Suedisë javën e kaluar, duke sugjeruar se “zyrtarët pa talent” ishin vënë në krye të vendimmarrjes.
A është ky “përjashtim” suedez?
Ajo që do ndodhë më pas në Suedi mund të varet në masë të madhe nëse njerëzit do të vazhdojnë me distancën sociale.
Disa suedezë janë përgjigjur për një “shpërthim të nacionalizmit” dhe një “ndjenjë krenarie, për Suedinë që devijon nga norma evropiane”, thotë Prof Nicolas Aylott, shkencëtar politik në Universitetin Södertorn të Stokholmit.
“Kjo është një lloj shfaqjeje e ndjenjës mjaft së thellë të individualizmit suedez”.
Kjo mund të inkurajojë disa suedezë që të ndjekin rekomandimet, por vendi nuk është aspak i bashkuar.
Në mediat sociale ka pasur mosmarrëveshje të zëshme nga disa banorë të huaj duke mbrojtur idenë e masave më të ashpra.
Ndërkohë, ka shenja që të tjerët që jetojnë në Suedi besojnë se më e keqja e krizës ka përfunduar.
Të dhënat sugjerojnë se banorët e Stokholmit po kalojnë më shumë kohë në qendër të qytetit sesa dy javë më parë, dhe fundjavën e kaluar policia ngriti shqetësimin për mbipopullimin e ambienteve të jetës së natës.
Kryeministri Stefan Lofven ka paralajmëruar se “nuk është koha për t’u çlodhur” e për të kaluar shumë kohë me miqtë dhe familjen. Por, me ardhjen e motit të pranverës pas dimrit famëkeq të gjatë, e të errët të Suedisë, është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. (BBC)
Kulture
Shuhet ikona Brigitte Bardot, biondja seksi që revolucionarizoi kinemanë në vitet ’50
Legjenda e filmit francez, Brigitte Bardot, një ikonë e kinemasë e viteve 1950 dhe 1960, që në kulmin e karrierës la gjithçja për t’iu dedikuar aktivizmit për mbrojtjen e kafshëve mbylli sytë në moshën 91-vjeçare. Bardot ishte parë rrallë në publik gjatë muajve të fundit kur përballej me probleme shëndetësore, ndërkohë që këtë të diel fondacioni që artistja themeloi njoftoi ndarjen e saj nga jeta, pa dhënë më shumë detaje.


Albania
Vit sfidues
Opinion Nga Ilir Kalemaj
Viti që lamë pas ishte i mbarsur me sfida të shumta lokale, rajonale dhe globale. Fillimisht së brendshmi pamë gremisje të mëtejshme të standarteve demokratike, korrupsion endemik, sistemik dhe kapilar që i shartuar me krimin e organizuar na rezultoi deri në kapje shteti, duke tejkaluar skenarët më të çartur hollivudianë. Rrugë të florinjta që avullojnë para shqiptarësh, verë që shkon në miliona euro dhe fluturon natën me qilim magjik, më shumë se 40 hajdutë që hanë dardhe dhe kumbulla pas shpine të Ali babës, konkurrentë që merren peng ditën për diell nga policia që pushteti do dhe plot thagma të tjera të cilat vështirë se bëhen dhe filma gjetkë.
Përsa i përket situatës në rajon, Kosovo gjendet mes një kapërcyelli epokal që paraqet sa sfida aq edhe mundësi. Një vit për t’u harruar politik, me tre palë zgjedhje përfshirë dy sojesh parlamentare, me rreth 50 votime për të zgjedhur vetëm kryeparlamentarin, me dështimin e vetdijshëm apo jo të Kurtit për të formuar qeveri, me një sjellje ngurruese dhe pa strategji të qartë opozitare për mos të lënë vendin pa qeveri, me palët politike që rrekeshin të përftonin kapital politik ndërkohë që republika e re ballafaqohej me kriza ekzistenciale. Përsa i përket faktorëve ndërkombëtarë, nga njëra anë kemi SHBA-në, e cila jo më larg se shtatori i këtij viti njoftoi për një pezullim të pacaktuar të dialogut të planifikuar me vendin si një shuplakë të drejtuar qeverisë kujdestare Kurti, ndërkohë që masat ndëshkuese (dhe në thelb të padrejta të BE-së) pritën vetëm fundin e vitit për t’u hequr duke i shkaktuar vendit një kosto jo të vogël financiare, ekonomike por edhe me pasoja sociale. Gjithsesi me zgjedhjet e sotme, shpresa është që republika e re e Kosovës të kthehet në shinat e normalitetit politik, qëndrueshmërisë institucionale, demokracisë përfaqësuese si e vetmja “lojë në qytet” dhe shtimit të ritmit të integrimeve euro-atlantike. Kjo do të jetë dhe barra e provës dhe testi i qeverisë së re që me shumë gjasa do të jetë qeveri koalicioni, ku shanset më të mëdha anojnë nga Vetvendosja si parti e parë për të krijuar qeveri kësaj radhe me partnerë një nga partitë kryesore të opozitës, me gjasë PDK-në.
Ndërkohë politikës së uljes në shumë karrige të Serbisë, duket se po i vjen fundi, pas sanksionimit të NIS, gjuhës së ashpër të Washingtonit ndaj Vuçiqit, ngrirjes së procesit të hapjes dhe përmbylljes së grupkapitujve të negociatave, qorrsokakut të vetdijshëm në lidhje me normalizimin dhe njohjen reciproke me Kosovën, krizën e brendshme si rezultat i protestave pa ndalim dhe ekspozimit të korrupsionit shtetëror. Nga ana tjetër, situata në Bosnjë-Herzegovinë duket e ngecur, me të vetmin zhvillim pozitiv “shuplakën” ndaj Dodik-ut dhe largimit të tij por edhe retorikës së ashpër separatiste që vendoste nën presion të vazhdueshëm Sarajevën dhe testonte limitet e institucioneve të brishta. Maqedonia e Veriut vijon të jetë e kushtëzuar nga Bullgaria përsa i përket procesit të integrimit evropian, ndërsa Mali i Zi merr notën e vetme kaluese në rajon në lidhje me shpejtësinë dhe cilësinë e reformave pavarësisht problemeve të brendshme politike, që mendohet se do t’i hapin rrugën e integrimit të plotë në BE në harkun e viteve 2028-2030.
Për Shqipërinë, ndonëse ky ka qenë premtimi elektoral i socialistëve të udhëhequr nga Rama, duket se nuk ka shans që kjo të ndodhë, pasi një sërë dështimesh edhe në raport me detyrimet karshi Brukselit kanë kushtëzuar procesin. Mjaft të përmendim dështimin për miratimin dhe zbatimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së për energjinë dhe vendimin në lidhje me këtë të Ministerialit të Energjisë së BE-së ku Shqipëria tashmë rrezikon përjashtimin nga Traktati i Energjisë apo hetimin e OLAF-it dhe ndëshkimin për fondet e keqdrejtuara (apo më saktë të përlara) të IPARD-it i cili e ka dëmtuar edhe më tepër një sektor që zë një përqindje të konsiderueshme të PBB-së dhe ushqen mijëra familje fermerësh të ndershëm shqiptarë. Ndërkohë që fermerët në mbarë BE-në janë ngritur në revoltë për drejtimin e politikave të përbashkëta bujqësore që kanë cënuar disi sigurinë e tyre, fermerët tanë përvec ndonjë proteste sporadike, kanë zgjedhur mesa duket të largohen nga fshati drejt metropolit apo larg në emigrim.
Por vëmendja ndaj rajonit është jo vetëm në kuadër të fazave të tyre të integrimit në Bashkimin Evropian dhe vëmendjen që merr nga Brukseli rajoni që prej dekadash është konsideruar si “kopshti i pasëm” i shtëpisë së BE-së. Kthimi i vëmendjes nga Washingtoni drejt rajonit përmes “Kapitullit F për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në ligjin vjetor të mbrotjes së SHBA- NDAA 2026 ligjin vjetor të mbrojtjes së SHBA, ku Ballkani Perëndimor trajtohet si një hapësirë ku demokracia, korrupsioni, media, ekonomia dhe siguria kibernetike shihen si pjesë e të njëjtit problem strategjik, është një tjetër dritë shprese se mungesës së llogaridhënies nga autokratët e regjimeve klienteliste në rajon i ka ardhur fundi.
Përsa i përket ngjarjeve kryesore përqark globit, bota pa disa konflikte të vazhdueshme për të disatin vit si konflikti në Gaza, apo lufta Rusi-Ukrainë. Ndërsa për rastin e parë, plani i presidentit Trump me 20 pika duket se i ka dhënë një kornizë armëpushimi dhe mundësie të prekshme për një zgjidhje sado të dhimbshme të përkrahur nga shumica e shteteve të botës, plani i ri po 20-pikësh i dakordësuar së fundmi mes SHBA-së dhe Ukrainës pret të marrë miratimin e Federatës Ruse për të zgjidhur një konflikt thuajse 4-vjeçar, t’i jepte fund gjakderdhjes dhe humbjes së jetëve të çmuara njerëzore në konfliktin më të gjatë ndër-shtetëror në kontinentin evropian qysh prej luftës së dytë botërore.
Njëzet pikat e dakordësuara në planin e ri të paqes mes SHBA dhe Ukrainës dhe që pritet t’i propozohen zyrtarisht Rusisë janë një rrugëzgjidhje që do t’i hapte rrugën sigurimit të kufijve të jashtëm të BE-së, integrimit të Ukrainës në BE dhe rindërtimit të shpejtë të saj, garancive të sigurisë kryesisht nga SHBA por edhe nga BE, forcimit afatgjatë të marrëdhënies transatlantike brenda NATOs pavarësisht luhatjeve të muajve të fundit, si dhe krijimin e një klime besimi të domosdoshme për paqe afatgjatë dhe siguri rajonale.
Viti që po lëmë pas ka shenjuar dhe kriza të tjera që kanë prekur dhe disa nga arteriet kryesore të transportit, ka vështirësuar tregtinë botërore përmes bllokimeve të njëanshme, sanksioneve dhe tarifave, ka tjetërsuar dhe vështirësuar tregun e punës edhe për shkak të shpërthimit të investimeve në inteligjencë artificiale. Që një pjesë e mirë e parashikuesve e paralajmëron edhe një flluskë të mundshme përgjatë vitit që vjen dhe që ndeshet aktualisht me mungesë burimesh si tokë, ujë dhe energji.
Gjithashtu viti që po lëmë pas ka thelluar si kurrë më parë polarizimin socio-ekonomik me një hendek financiar që ndoshta nuk do të rikuperohet më, ku shtatë kompanitë më të mëdha kanë kaluar në vlerë dhe disa nga shtetet me ekonominë më të madhe ndërkohë që ka ashpërsuar dhe klimën politike në mbarë globin. Një vit që po rithekson nevojën e rikrijimit të sferave të influencës dhe që flet përherë e më tepër me gjuhën e diktatit të fuqisë dhe interesave shtetërore, siç në fakt ka qenë trajektorja e pjesës më të madhe të historisë politike njerëzore pavarësisht iluzionit të periudhave aftashkurtra pas luftërave botërore, qoftë asaj të parë, të dytë apo luftës së ftohtë. Një vit që ka theksuar gjithashtu nevojën për stabilitet çka e demonstron edhe rritja e pabesueshme e çmimit të arit, argjendit apo të patundshemeve në nivel global ndërkohë që ka shenjuar njëherazi edhe humbjet më të mëdha nga krimi kibernetik financiar që ka synuar kryesisht portofolet kripto.
Një zile paralajmëruese kjo dhe për nxitimin e politikanëve këtejpari që bëjnë thirrje të nxituara për fundin e cash-it në ekonomi ndërkohë që të dhënat e shqiptarëve duke nisur nga e-albania dhe akshi si gardian, janë dhunuar si kurrë më parë.
Albania
Elozhi i kujtesës
nga Mira Meksi Shkrimtare
Shënime mbi romanin ‘Engram’të Brunilda Zllamit
Shpesh kam thënë se për t’u mirëdrejtuar në xhunglën ngalakeqe të botimeve të sotme letrare, duhet feneri i filozofit cinik Diogjenit. Ndërsa ai kërkonte ‘njeriun’, sot kërkohet ‘libri letrar’. As me këtë fener në dorë nuk është e lehtë të gjendet. Mbetesh gjembaçve dhe drizave të botimit të gjithkujt që, me mendjelehtësi fëmijërore, a me shpresë se do të bëhet i pavdekshëm, i futet mjeshtërisë së tejvështirë të shkrimësisë, pa patur as më të voglën përgatitje, dhe pa asnjë grimcë talenti. Rezultati është një tmerr i vërtetë, i cili jo vetëm e ka qorollisur lexuesin, që po thyen këmbët hendekëve të librave të shkruar tmerrësisht keq, duke ia neveritur letërsinë shqipe, por edhe po dëmton rëndë gjuhën shqipe.
Në këtë panoramë të zezë të letërsisë së sotme shqipe, ka sigurisht libra të shkruar shumë mirë dhe mirë, që feksin si dritëza në errëtinë e kësaj panorama, dhe që japin shpresë për të ardhmen e letërsisë së gjuhës sonë. Ndër këto të pakta drita, për mua, është edhe romani më i fundit i shkrimtares së njohur Brunilda Zllami, Engram. Romani është realist, siç janë në përgjithësi romanet e kësaj autoreje, me elementë të shumtë dhe të spikatur të romanit psikologjik. Trajton tema, ngjarje, probleme dhe plagë të shoqërisë së sotme shqiptare, por edhe më gjerë – probleme që prekin vetë Njeriun.
Janë përsiatje mbi marrëdhëniet prind-fëmijë, mbi botë që nuk afrohen, përkundrazi: një baba që mundohet të formësojë jetën e të birit në çdo aspekt, sikur të ishte jeta e tij, apo ajo pjesë e jetës së tij që e kish dëshëruar pa e arritur dot kurrë. Duke e damkosur kësisoj jetën e të birit me fatkeqësi.
Janë përsiatje mbi hipokrizinë njerëzore, arrivizmin, moralin e nëpërkëmbur, etjen e shfrenuar për pushtet, për para- fëlligështia e njeriut e ngritur në lartësinë e vlerës në shoqërinë moderne shqiptare.
Janë përsiatje mbi dashurinë, të gjitha llojet e dashurisë: dashuritë e pamundura, të rrezikuara, dashuritë e zhbëra, ato të pavërteta, dashuritë e helmëta, dashuritë jetëshkurtra, dhe ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt. Dashuritë që të shpëtojnë jetën dhe ato që të vrasin…
Janë përisatje mbi pendesën: ‘Pendimet janë të rënda. Si gurë të çrregullt futur në një trastë që je i detyruar ta mbash në supe…..Pendimet janë të hidhura. Si lot që nuk ke derdhur, si fjalë që s’kanë buruar prej teje, si ofshama që i ke mbytur brenda’.( Engram)
Janë përsiatje mbi përballjen e njeriut me sëmundjen, me pafuqinë, me bjerrjen e trupit dhe shpirtit, me humbjen e Kujtesës. Me keq se vetë vdekja.
Janë përsiatje mbi vetsakrifikimin për të mbrojtur me vdekje dashurinë që zhbëhet nga sëmundja.
Mjeshtre e zhbirimit të psikës njerëzore, Zllami prek tejzat e trurit, pret me bisturi, rrëmon lëndën gri për të gjetur djepin, skutën, matricën e Kujtesës. Engramin. ‘ Ku jetojnë kujtimet? Në mendje, shpirt, pafundësi? Janë vetëm pjesë e qenies sonë, apo një pjesëz e koshiencës universale? Çfarë është njeriu pa kujtime?’. ‘Çfarë janë engramët? Pyet autorja dhe përgjigja vjen: ‘Janë vendi ku ruhen kujtimet’( Engram)
Personazhet në roman janë të shumtë, gjallojnë në Londër dhe Tiranë. Autorja përdor një strukturë që ka dalë të jetë e suksesshme në romanet e saj: kapituj sërë-sërë ndërtojnë secili nga një personazh, të ri gjithsaherë, si rrezet e një dielli, që konvergojnë në diell, pra në një pikë – arena ku bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve rrëfehet në retrospektivë, me anë të kujtesës a kujtimeve. Pjesët onirike të librit, sentencat e tij mbi gjithë sa thamë më sipër, janë të mrekullueshme.
Larg së qeni optimist, romani të mëkon gjithsesi me shpresën, të cilën e vendos pikërisht në ENGRAM:
‘Kujtimet janë vetja jonë. Ato na mbajnë kur mund të biem, na ngrenë kur rrëzohemi, na kthejnë në jetë kur vdesim. Të endura nga engramët si fatkrijueset e dikurshme…Janë ato që shkruhen me bojën e yjeve që na krijuan, e mbeten edhe kur jemi larguar’.( Engram)
Romani ‘Engram’, i pazakontë, i rrallë në llojin e vet, ka një gjuhë të pasur dhe fort të limuar, një shqipe të stolisur me metafora dhe fjalëformime elegante, e cila është në gjendje të mbartë dhe të na përçojë emocione të mëdha.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania8 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania8 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania9 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK8 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota8 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova10 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
