Disa kishin zënë vend në ulëset e parqeve, disa shëtiteshin rrugëve e të tjerë ngasnin biçikleta. Pensionistët e Shqipërisë ishin të vetmit që shijuan ajrin e pastër deri në ora 11, por duke bartur maska dhe duke ruajtur distancën fizike.
Në 24 orët e fundit në Shqipëri u konfirmuan 34 raste të reja me COVID 19, shumica asimptomatik. Nga 712 të infektuar tashmë janë shëruar mbi 400.
“Gjatë 24 orëve të fundit 9 pacientë të tjerë janë shëruar nga COVID 19, duke e çuar totalin e të shëruarve në 403 persona. Aktualisht në vendin tonë 282 janë persona aktiv me COVID 19 dhe sikurse shihet numri i të shëruarve është i lartë dhe kjo tendencë vazhdon të jetë e qëndrueshme- deklaroi Gentiana Qirjako, Instituti i Shëndetit Publik.
Në Kosovë edhe 3 pacientë fituan betejen kundër Koronavirusit. Kështu numri i të shëruarve shkoi në 162 nga 703 të prekur gjithsej. Në fuqi vazhdojnë të mbeten masat që kufizojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve, vetëm për 90 minuta në ditë. Oda Ekonomike e Kosovës propozon që nga java e ardhshme të fillojë zbutja e masave të izolimit për disa sektorë të bizneseve dhe kërkon që deri më 10 qershor qeveria ta ketë gati kornizën e rimëkëmbjes ekonomike.
Në Serbi edhe ora policore e kësaj fundjave filloi të premten në ora 18 dhe do të zgjasë deri në 5 të mëngjesit të së hënës. Nga e hëna do të ketë zbutje të masave, respektivisht do të lejohet puna e tregjeve në hapësira të mbyllura, sallonet e bukurisë dhe qendrat e fitnesit. Në këtë shtet ka rreth 7500 të prekur, rreth 1100 të shëruar dhe 144 viktima.
Edhe Greqia po përgatitet për zbutjen e masave të izolimit. Pritet që me fillimin e majit të hapen dyqanet e vogla dhe sallonet e bukurisë. Ndërsa Ministri i Turizmit, Haris Theoharis u shpreh optimist se turizmi grek do të hapet në korrik, që të “shpëtohet” sezoni veror. Greqia ka regjistruar rreth 2500 të prekur dhe 130 viktima.
Bullgaria në 24 orët e fundit ka konfirmuar edhe 63 raste të reja, që e çon në 1234 numrin e përgjithshëm të të prekurve. Autoritetet bullgare së fundmi njoftuan se bartja e maskave në vende publike do të jetë e obligueshme deri më 13 maj, sa dhe do të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme në këtë shtet.