Për dallim nga shtetet që tani përballen me “kulmin” e pandemisë, qyteti kinez, Vuhan nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me Koronavirus. Autoritetet e këtij vendi ku lindi virusi, madje pretendojnë se janë liruar nga spitalet të gjithë personat e infektuar. Në gjithë Kinën tani ka vetëm 800 raste aktive.
Ndërkohë sugjerimet e Presidentit amerikan, Donald Trump për të pirë a injektuar dezinfektues kundër Koronavirusit, ka shkaktuar edhe pasojat e para. Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik në Illinois konfirmoi se përskaj rritjes së numrit të të infektuarve me COVID 19, gjatë dy ditëve të fundit është rritur numri i helmimeve nga kemikalet.
Nga ana tjetër shteti amerikan më i prekur, Nju Jorku ka vendosur ta parandalojë përhapjen e pandemisë përmes metodës jug-koreane, atë të testimeve masive. Me vendimin më të ri, Nju Jorku u lejoi rreth 5 000 farmacive kryerjen e 40 mijë testeve në ditë. Vetëm në Nju Jork kanë ndodhur 1/3 e gjtihsej 55 000 vdekjeve nga virusi në gjithë SHBA-në, vendin më të goditur në botë
Italia shteti i dytë në Botë me mbi 26 mijë viktima ka vendosur përfundimisht që të mbyll shkollat deri në shtator. Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konti ndërkohë njoftuar edhe për vendimin tjetër të qeverisë që nga 4 maji të nis rihapja e industrive dhe bizneseve.
Në total Franca ka regjistruar rreth 23 000 viktima dhe është shteti i katërt më i prekur në botë pas SHBA_së, Italisë dhe Spanjës. Për ta parandaluar përhapjen, Franca ka ndaluar të gjitha bizneset jo-të domosdoshme deri më 11 maj, ndërsa qytetarët mund të dalin jashtë vetëm me leje të posaçme. OJQ-të pretendojnë se Koronavirusi e ka forcuar edhe më shumë pabarazinë sociale, e cila do të eksplodojë me kriza ekonomike e sociale në të ardhmen.
Ndërkaq kryeministri i shtetit të pestëë më të prekur në botë, Britanisë së Madhe, do t’i rikthehet detyrës ditën e hënë pas tre javësh kujdesi intenziv. Boris Xhonson nuk është shëruar akoma plotësisht nga virusi, por ka vendosur t’i kthehet punës në kohë kur numri i viktimave ka tejkaluar 20 mijëshin. Autoritetet parashikojnë rënie të madhe ekonomike ndërsa konservatorët këmbëngulin në zbutjen e izolimit.
Rritje të rasteve ditore dhe viktimave po shënon edhe Turqia, duke qenë shteti i shtatë më i prekur në botë me mbi 100 000 të infektuar dhe mbi 2700 viktima. 31 provinca janë në karantinë katër ditëshe, që nga e enjtja. Mbi 200 000 persona kanë humbur jetën nga rreth 3 milion të infektuar në botë, derisa mbi 800 000 janë shëruar.