Diego Maradona ka mundur të ndëshkohej me karton të kuq para finales së Botërorit 1990, pasi kishte sharë vazhdimisht gjatë intonimit të himneve. Këtë ka treguar arbitri i ndeshjes finale Edgardo Codesal.
Uruguaiani Codesal po ashtu ka treguar se Maradona më vonë gjatë ndeshjes e kishte quajtur atë hajdut.
Maradona me Argjentinën u ndal në finale nga Gjermania Perëndimore me rezultatin 1:0. Në finale dy lojtarë të Argjentinës, Pedro Monzon dhe Gustavo Dezotti, u përjashtuan me kartonë të kuq.
Arbitri Codestal ka thënë se Maradona ka qenë me fat se nuk ishte një arbitër tjetër, pasi do të përjashtohej me të kuq qysh para fillimit të ndeshjes.
“Unë kam mundur ta përjashtoja me të kuq para se të fillonte ndeshja, pasi ai po shante me tepri gjatë intonimit të himneve”, ka treguar Codestal për “Tirando Paredes”. “Më vonë kur vendosa të përjashtoja Monzonin me të kuq, Maradona erdhi dhe më tha se jam hajdut dhe jam në listën e pagave të FIFA-s. Kam parë Maradonën duke bërë disa gjëra të jashtëzakonshme në fushë, por po ashtu edhe se si mori lëndim gjuri nga ndërhyrjet agresive. Si lojtar ai ishte më i miri, por si personal ishte shumë i pakëndshëm dhe një nga më të këqijtë me të cilët kam pasur punë në ndeshje”.
Maradona kishte thënë se referi uruguaian Codestal nuk ka dashur që Argjentina të fitonte Kupën e Botës, ndërsa Gjermania Perëndimore triumfoi fal një penalltie të akorduar në minutën e 85-të.
“Lojtarët tanë vrapuan fortë, por më pas erdhi ky njeri dhe shkatërroi çdo gjë. Ky ishte i frikësuar se do të shkonim në penallti. Ai donte të bënte italianët të lumtur. Dora e zezë e këtij njeriu përjashtoi Monzonin për një veprim normal dhe më vonë akordoi penallti kundër nesh nga imagjinata e tij”, kishte thënë Maradona në vitin 1990. “Unë qava shumë. Futbolli ka qenë jeta ime dhe po qaja, jo se dolëm në vend të dytë, por për mënyrën se si humbëm. Ky njeri nuk kishte të drejtë të akordonte atë penallti”.