Plani i Bundesligës së Gjermanisë në futboll për të vazhduar më 9 maj po kundërshtohet nga një pjesë e shkencëtarëve gjermanë.
Bundesliga pritet të nisë muajin e ardhshëm, ndërsa ndeshjet pritet të luhen pa shikues. Ka mbetur që Qeveria e Gjermanisë të jap leje për këtë.
Por profesori Uwe Liebert thotë se masat higjienike të propozuara nga liga, testimi i rregullt i lojtarëve dhe monitorimi i gjendjes së tyre nuk mjaftojnë për të ofruar siguri për të përfshirët.
“Nuk dimë për efektet për kohë më të gjatë të një sëmuri me Covid – 19. Është e mundshme që edhe në moshë të re të shfaqet sëmundje e rëndë apo edhe të vijë te vdekja. Infeksioni mund të zbulohet vetëm pas 48 orësh. Nga këndvështrimi im, të gjithë njerëzit në kontakt me një lojtar të futbollit janë kontakte të shkallës së parë. Kështu që të gjithë do të duhet të hyjnë në karantinë, ndoshta edhe ekipi kundërshtar”, ka thënë Liebert për MZ.
Në Gjermani tubimet e mëdha janë ndaluar deri në fund të gushtit, por plani për vazhdim të kampionatit të futbollit pritet të realizohet. Në Bundesligë janë luajtur 25 xhiro.