Presidenti i Ligës së Futbollit të Suedisë, Mats Enquist, thotë se zhvillimi i ndeshjeve pa shikues është e paimagjinueshme.
Suedia, një nga vendet e pakta që nuk ka marrë masa të ashpra kufizimi në luftën kundër koronavirusit, planifikon të lejojë zhvillimin e ndeshjeve të futbollit nga 14 qershori. Plani është që ndeshjet të luhen me shikues.
“Fakti se do të luajmë me shikues, nuk do të thotë, se jemi injorant dhe nuk e kuptojmë rrezikun. Synimi është të luajmë me tribunat e mbushura me tifozë. Por, nëse kjo nuk është e mundur, atëherë natyrisht se do të luajmë me një numër të kufizuar të tifozëve”, ka thënë Enquist në intervistë për “Bild”. “Ne në Suedi duam ta bëjmë të qartë, se futbolli është sport, që luhet në fushë edhe në tribuna”.
Ai thotë se edhe nëse infektohen tifozët nuk do të jetë fundi i botës.
“Do të jetë e paevitueshme që ndonjëri të infektohet. Ne duhet të kuptojmë, se shumica prej nesh do të infektohen me koronavirus. Por, është vetëm me rëndësi, të mos e intensifikojmë përhapjen e sëmundjes. Kur të luajmë me tribuna të mbushura – që për momentin duket pak e besueshme se do të ndodhë, këtë e pranoj – atëherë tifozët duhet të jenë të përgjegjshëm. Pra, duhet të gjejmë mënyrë për të mbajtur distancën prej dy metra”, thotë 60-vjeçari
Edhe lojtarët duhet të mbrohen nga virusi. E në rast se infektohet ndonjëri, Enquist mendon se nuk duhet të futet gjithë skuadra në karantinë.
“Ne duam që ekipi i mjekëve të kontrollojë lojtarët, për të shikuar nëse janë pa simptome. Dhe lojtarët duhet të testohen rregullisht para stërvitjes dhe para ndeshjeve. Po ashtu duhet të mundohemi të jemi të përgjegjshëm e të evitojmë shtrëngimin e duarve”, ka shtuar Enquist. “Sa i përket pyetjes nëse një lojtar infektohet a duhet të futet gjithë skuadra në karantinë, jemi duke punuar në këtë drejtim. Por, do të them se jo. Gjithë skuadra nuk është e infektuar, vetëm në rast se tregojnë të gjithë simptome. Natyrisht se është rreziku aty, që ndonjë lojtar të infektohet, por nuk mund të fusësh në karantinë gjithë ekipin”, ka thënë kreu i ligës.