Më shumë se 4 000 persona kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 në dy javë në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit në Angli, theksoi sot Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS).
Në total, ONS-ja raportoi 4 343 të vdekur në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit nga 10 prilli deri më 24 prill. Këto shifra u dhanë për ONS-në nga drejtuesit e këtyre institucioneve.
Shtëpitë e kujdesit për të moshuarit kanë lëshuar alarmin që prej disa javësh mbi situatën në ambjentet e tyre ku vdekjet nuk janë numëruar në bilancet e përditshme të autoriteteve.
Edhe pa numëruar këta të vdekur, Britania e Madhe është një prej vendeve më të prekura në Europë nga pandemia.
Qeveria njoftoi dje një bilanc prej 21 092 të vdekur në total vetëm në spitale, 360 në 24 orët e fundit, niveli më i ulët që prej fundit të marsit.