India të martën e ka humbur përfundimisht të drejtën e organizimit të Kampionatit Botëror për boksierë, që është dashur të mbahet vitin e ardhshëm në New Delhi.
Vendimin e mori Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA), raporton Koha.net. AIBA ka vendosur që Botërori për boksierë të organizohet në Beograd.
New Delhit i është marrë e drejta e organizimit pasi nuk ka përmbushur obligimet, përkatësisht nuk ka paguar tarifat e organizatorit. Kështu AIBA e ka shkëputur kontratën me Indinë.
India në korrik të vitit 2017 e mori të drejtën e organizimit të Botërorit 2021. Por më pas u fut në konflikte me shtëpinë botërore të boksit amator. Së pari përplasjet u paraqitën pas diskriminimit që India ia bëri boksieres kosovare, Donjeta Sadiku, duke mos e lejuar të garojë në Botërorin e vitit 2018. Në fakt India dy herë ia ka ndalur Donjetës pjesëmarrjen në Botëror, një herë për juniore e një herë për të rritura.
“AIBA kishte thënë se do të rihapë procesin për të vendosur organizatorin e Botërorit 2021, pasi në nëntor të vitit 2018, boksieres nga Kosova Donjeta Sadiku nuk iu lejua pjesëmarrja”, ka shkruar të martën agjencia indiane e lajmeve, IANS.
AIBA në fakt kishte kërcënuar se do të rikonsiderojë vendimin që Botërori të mbahet në Indi, duke reaguar kështu në diskriminimin ndaj boksieres më të mirë kosovare.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ishte shumë i përfshirë në atë proces. Ai është i bindur se diskriminimi ndaj Donjeta Sadikut ka ndikuar në vendimin e AIBA-s.
“Federatat e mëdha ndërkombëtare nuk harrojnë gjëra të tilla. Shteti i Indisë kishte keqpërdorur besimin e AIBA-s. India nuk ishte korrekte dhe po paguan çmimin. Unë sinqerisht besoj shumë se diskriminimi ndaj sportistes sonë ka ndikuar në vendimin e AIBA-s dhe raportet e kësaj organizate me Indinë”, ka thënë Hasani për Koha.net, të martën mbrëma.
“Sjellja jokorrekte e Indisë ishte në instancat politike, përkatësisht nga Qeveria e këtij vendi. Organizatat sportive të Indisë kishin bërë përpjekje, por pa rezultat. Ne së bashku me Federatën e Boksit të Kosovës kishim shkruar një letër për AIBA-n duke kërkuar që të anulohet i gjithë kampionati, të gjitha rezultatet. Kishte bërë jehonë ajo letër”, ka shtuar Hasani.