Shefi mjekësor i FIFA-s ka tërhequr vërejtjen se rifillimi i edicionit aktual në javët e ardhshme mund të shkaktojë një goditje të dytë vdekjeprurëse nga pandemia Covid – 19.
Michel D’Hooghe beson se futbolli nuk duhet të vazhdojë deri në fund të gushtit apo fillim të shtatorit, raporton Daily Mail.
Bundesliga gjermane ka plane për të vazhduar edicionin më 9 maj, por kjo duhet të miratohet nga organet qeveritare. Premier League po punon për të përfunduar edicionin gjatë muajve qershor e korrik. Franca të martën ka vendosur që mos të vazhdojë edicionin. Kryeministri i këtij vendi, Edouard Philippe, ka njoftuar se ndeshjet nuk do të lejohen deri në shtator.
Duke folur për Daily Telegraph, D’Hooghe ka thënë: “Ne të gjithë presim vendimet që merren në nivel nacional nga autoritetet publike. Është shumë e thjeshtë. Futbolli papritur është bërë gjëja jo më e rëndësishme në jetë. Unë do të jem i lumtur nëse mund të vazhdojmë, në mënyrë të përshtatshme, kampionatin e ardhshëm dhe nuk kemi asgjë para fillimit të edicionit tjetër. Nëse mund të fillohen kampionatet e ardhshme në fund të gushtit apo fillim të shtatorit, unë do të isha i lumtur. Më pas eventualisht mund të anulohet sulmi i dytë nga virusi, i cili nuk është i pamundshëm. Secili duhet të jetë shumë i kujdesshëm në këtë moment. Kam dëgjuar që në shumë vende po mendojnë për të luajtur futboll sërish, me apo pa shikues”.
D’Hooghe ka thënë se gjatë karrierës së gjatë ka parë situata kur është balancuar ekonomia me shëndetin.
“Nëse ka një rrethanë kur argumentet shëndetësore duhet të fitojnë ndaj atyre ekonomike, atëherë ajo është tani. Nuk është çështje e parave, është çështje e jetës dhe vdekjes. Është shumë e thjeshtë”.