Deputeti nacionalist i SVP/UDC nga Kantoni i Valisit, Jean-Luc Addor është shpallur fajtor për diskriminim racor në një proces apelimi nga gjykata kantonale në shkallë të dytë. Ai është dënuar nga Gjykata Kantonale e Valisit me kusht, me gjobë prej 60 njësishë ditore nga 300 CHF, me provë dy vjeçare, shkruan srf.ch.
Arsyeja e aktakuzës ishte një vrasje në një xhami St. Gallen që kishte ndodhur në gusht të 2014, me ç`rast ishte vrarë një shqiptar 51-vjeçar. Addor më pas kishte shkruar në Twitter dhe në Facebook: “Ne duam më shumë!”.
Shkalla e parë e kishte bazuar gjykimin e saj në faktin se Ador si jurist, duhet të kishte parashikuar reagimet bazuar në përvojën e tij juridike dhe politike, transmeton albinfo.ch. Ndryshe nga avokati mbrojtës i tij, lexuesi mesatar nuk mund të shihte ndonjë ironi në deklaratat e tij, ka konstatuar gjykata.
Përkundrazi, Adori me këtë shënim të tijin kishte lënë përshtypjen se pjesëtarët e bashkësisë fetare islame ishin njerëz për të cilët jeta nuk kishte asnjë vlerë. Me mesazhin e tij diskriminues, politikani ka mbështetur ose madje ka theksuar më tutje një qëndrim armiqësor ndaj myslimanëve, thuhet në vendimin e Gjykatës së Qarkut.
Avokati mbrojtës, Marc Bonnant, apeloi, si në procesin e shkallës së parë, ashtu dhe në të dytin ka kërkuar lirim për klientin e tij.
Addor dëshiron ta çojë më tutje çështjen duke u ankuar në shkallën më të lartë të gjyqësisë, në Gjykatën Federale, përcjell albinfo.ch. Avokati 56-vjeçar është që nga dhjetori i vitit 2015 deputet në Parlamentin e Zvicrës ku përfaqëson partinë SVP/UDC të Valisit të poshtëm.