Shkencëtarët e Universitetit të Bonit në Gjermani kanë thënë se numri i të infektuarve me koronavirus në këtë shtet mund të jetë dhjetë herë më i lartë se shifra zyrtare. Në këtë përfundim ata arritën përmes një studimi në terren në njërin prej qyteteve më të prekura.
Hulumtuesit thanë se rezultatet preliminare të këtij studimi, të cilat ende nuk janë publikuar në ndonjë revistë shkencore, shërbejnë si përkujtim për rreziqet e infektimit nga bartësit e paidentifikuar të virusit, disa prej të cilëve nuk shfaqin fare simptoma.
Ekipi i hulumtuesve mjekësorë, të udhëhequr nga Hendrik Streeck dhe Gunther Hartmann, tha se rreth 1.8 milion njerëz në Gjermani besohet të jenë infektuar me Covid-19, mbi dhjetë herë më shumë se shifra prej rreth 160,000 rasteve të konfirmuara zyrtarisht deri më tani.
Shkencëtarët i analizuan mostrat e gjakut dhe të hundës të 919 personave të përzgjedhur rastësisht në një qytet të rajonit Heinsberg, afër kufirit me Holandën, i cili ka një prej shkallëve më të larta të vdekshmërisë në Gjermani.
Gjatë hulumtimit gjithashtu u zbulua se rreth 20 për qind e të infektuarve nuk kanë shfaqur simptoma, shkruan “The Guardian”.
Rezultatet e këtij studimi u publikuan në kohën kur qeveria gjermane mori hapa shtesë të hënën për lehtësimin e masave të izolimit përmes rihapjes së salloneve të floktarëve, muzeve, kishave dhe fabrikave të veturave.