376 mafiozë janë liruar nga burgjet në Itali dhe janë dërguar nën arrest shtëpiak për shkak të rrezikut të infektimit me koronavirus, duke nxitur një debat në vend.
Që nga fillimi i krizës me koronavirus, gjykatat në Itali kanë liruar mafiozë të moshuar që vuanin nga sëmundje të ndryshme sepse “janë në rrezik të komplikimeve nëse marrin koronavirusin”.
Prokurorët, asociacionet anti-mafia e partitë politike kanë protestuar kundër vendimeve të gjykatave, duke u frikësuar se krerët e mafive do të shfrytëzojnë krizën e koronavirusit për të siguruar lirimin e tyre.
Në mesin e të liruarve dhe të dërguarve në arrest shtëpiak është edhe bosi i “Cosa Nostras”, Francesco Bonura, 78-vjeçari që po vuante dënimin prej 23 vjetësh burgim dhe bosat e “Ndranghetas”, Vincenzino Iannazzo 65-vjeçar dhe Rocco Santa Flippone 72-vjeçar.
Gjykatat janë frikësuar se një infektim me Covid-19 do të ishte fatal për Filipponen pasi ai kishte probleme serioze kardiovaskulare.
Një tjetër bos i “Cosa Nostras”, Franco Cataldo 85-vjeçar, është liruar të hënën. Cataldo ishte në mesin e të dënuarve për kidnapimin e 15-vjeçarit Giuseppe Di Matteo, të birin e informatorit Santino Di Matteo. Djaloshi më pas ishte vrarë e trupi i ishte asgjësuar në acid nën urdhrat e kryemafiashit Giovanni Brusca.
Ministri i Drejtësisë, Alfonso Bonafede, qartësoi javën e kaluar se vendimi për të liruar mafiozët nuk ishte marrë nga qeveria dhe të hënën kërkoi për rishikim të rregullit për lirimin e mafiozëve nga burgu.