Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti konferencë për media pas Samitit të djeshëm të Zagrebit.
“Dje u zhvilluan punimet e Samitit të Zagrebit të liderëve të BE-së dhe shteteve anëtare e gjithashtu të Ballkanit Perëndimor”, tha Thaçi, duke falënderuar kryeministrin kroat për organizimin e këtij samiti.
Shtoi se të gjithë liderët, pa dallim, kanë folur për rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër pandemisë, duke shprehur ngushëllime për viktimat nga Covid-19.
“Falë institucioneve tona të shëndetit publik dhe mjekëve tanë, kemi numër të vogël viktimash. Fokusi mbetet në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, shtoi ai, duke theksuar edhe nevojën e ringjalljes së ekonomisë, raporton KOHA.
Thaçi më tej tha se përkundër pandemisë, Kosova mbetet i fokusuar në prioritetet e saj, në veçanti në funksionimin e institucioneve dhe forcimin e sundimit të ligjit.
“Prandaj ishte i mirëseardhur Samiti i Zagrebit nga ku prisnim rezultate konkrete. Kam theksuar si president se Kosova si shteti më pro-evropian meriton trajtim të shpejtë e më vendimmarrës nga BE-ja në veçanti sa i përket nevojës së liberalizimit. Kjo vonesë vetëm zbeh besimin e Kosovës. Kam bërë thirrje në deklarimin tim se shtetet anëtare të BE-së duhet të lëvizin përpara më shpejt në këtë çështje dhe me urgjencë. Kosova padrejtësisht po mbahet e izoluar, këtë e kuptojmë si ndëshkim të padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës sepse ne kemi përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme”, shtoi ai, duke thënë se ka kërkuar nga 5 vendet që s’e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë sa më shpejtë atë.
Çështja tjetër, tha Thaçi, që ai ka ngritur, ka qenë që BE-ja të përfshihet intensivisht në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
“Kosova është që dialogu të vazhdojë e të arrihet marrëveshja me Serbinë, gjithashtu, duhet të jetë marrëveshje finale me njohje reciproke. BE-ja duhet të mos i shmanget zgjerimit të ndihmës së Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën është jashtëzakonisht e rëndësishme qe të kemi një angazhim më konkret nga BE-ja gjithmonë duke u trajtuar si shtet i pavarur dhe sovran”, shtoi Thaçi.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ditë më parë u deklarua se nuk është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.
“Le të them se unë jam më shumë eklaktik. Ne duhet ta lehtësojmë dialogun dhe, siç thash, t’i marrim parasysh efektet kolaterale të çfarëdo lloj marrëveshje në pjesë tjera të rajonit, ku problemi i lëvizjes së kufijve ka qenë gjithmonë i ndjeshëm. Unë e kuptoj personalisht pozicionin e Gjermanisë dhe të tjerëve, por roli im, dhe i Përfaqësuesit tim të posaçëm është që ta lehtësojmë dialogun”, tha ai.
Sa i përket deklaratave të Josep Borrell, Thaçi tha se “Kosova është vend i pavarur dhe sovran i njohur prej shumicës së vendeve të BE-së. Dialogu duhet të vazhdojë mes dy vendeve sovrane por këtë realitet nuk mund t’i ndryshojë askush. Unë nuk jam këtu që të komentoj deklarimet e këtij apo atij zyrtari”.