Unioni Turistik Shqiptar i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit, Edi Rama, të cilit i kërkon që të ndërmerren disa masa lehtësuese për të shpëtuar sektorin e turizmit. Në letrën e tyre, grupimi i operatorëve turistik, bën të ditur se nëse nuk merren masa të shpejta 70% e të punësuarve në këtë sektor rrezik të humbasë punën.
Ndërkohë që sugjerojnë që të lejohen fluturimet dhe charterat që të ulen në Rinas që nga data 1 qershor.
“Ne nuk duam të krijojmë panik, por aktualisht të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike kane një rënie nga 90-100% të të ardhurave mujore dhe në qoftë se nuk do të merren masa të shpejta, pritet që së shpejti rreth 70% e të punësuarve në këtë sektor do të humbasin përfundimisht vendet e punës dhe pandemia shëndetësorë do të shndërrohet në pandemi ekonomike dhe sociale. Gjithashtu duam t’Ju informojmë se partnerët tanë ndërkombëtarë që operojnë me fluturime charter në Shqipëri, të cilat kanë parapaguar hotelet sipas kontratave të garancisë, janë të gatshëm që të ulin charterat e tyre në aeroportin e Rinasit duke filluar që nga data 1 qershor.
Theksojmë se për sa u përket sipërmarrjeve turistike janë marrë të gjitha masat për krijimin e infrastrukturës për pritjen e turistëve, bazuar te protokollet strikte të hartuara nga MTM dhe MSHMS dhe jemi të gatshëm që të plotësojë të gjitha kriteret e përcaktuar me përgjegjshmëri, vetëm e vetëm që të mbajmë destinacionin, qoftë edhe pa fitim, pasi në të kundërt do jetë shumë e vështirë për ta futur përsëri ne axhendën e Tour Operatorëve të njohur ndërkombëtarë, për shkak edhe të imazhit të brishtë që ne akoma kemi.
Për këtë arsye kërkojmë që Ju të motivoni këtë bashkëpunim dhe në rakordim edhe me qeveritë e vendeve që operojnë me fluturime charter në Shqipëri, si Polonia, Vendet Nordike,Gjermani, Rep.Ceke, Ukraina, vendet Baltike etj, të gjendet një formulë për arritjen e një marrëveshje bilaterale për hapjen e një korridori për avionët charter, në mënyrë që të shpëtojmë Shqipërinë si destinacion turistik dhe jo vetëm për këtë vit, por edhe për vitet në vazhdim”, thuhet në letrën e Unionit Turistik Shqiptar. Më tej shtohet se: ‘Me qëllimin e mirë për të shpëtuar një ndër sektorët që jep 26% të PBB po ju drejtohemi Juve si Kryeministër i vendit, që të merrni në konsiderate propozimet tona duke ju siguruar që nuk janë propozime luksi dhe nuk kemi si qëllim primar përfitimin, por vetëm të mbajmë në këmbë këtë industri të rëndësishme, nga e cila buxheti i shtetit përfiton një sasi të konsiderueshme taksash. Ne jemi të hapur dhe në pritje për të diskutuar dhe propozuar alternativa që do na çojnë drejt zgjidhjes më të mirë”.