“Ata që duan të ndërtojnë perandori në Evropë, në vend të shteteve kombe ata duan rendin perandorak pra ‘Shtetet e Bashkuara të Evropës’. Ne nuk duam të bëhemi pjesë e kësaj”, tha kryeministri hungarez, Orban
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha se disa fuqi në Evropë në vend të shteteve kombe dëshirojnë të formojnë “Shtetet e Bashkuara të Evropës”, por se vendi i tyre nuk dëshiron të jetë pjesë e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin e tij javor në radion shtetërore Kossuth, Orban i dha përgjigje kritikave të ashpra të drejtuara nga opinioni ndërkombëtar për ligjin e pranuar në Parlamentin hungarez me qëllim për masat kundër koronavirusit të ri (COVID-19).
Orban tha se disa fuqi në Evropë në vend të shteteve kombe duan të formojnë një perandori që përfshin brenda saj vendet evropiane dhe se Qeveria e Hungarisë kritikohet sepse nuk e pranon këtë.
“Ata që duan të ndërtojnë perandori në Evropë, në vend të shteteve kombe ata duan rendin perandorak pra ‘Shtetet e Bashkuara të Evropës’. Ne nuk duam të bëhemi pjesë e kësaj. Ne duam që Hungaria të mbetet Hungari”, tha Orban i cili ka nënvizuar se vendi i tij në asnjë mënyrë nuk do të jetë pjesë e perandorisë në fjalë.
Përkrahësit pro-perandorisë përpiqen në çdo mundësi të dobësojnë qeverinë hungareze, tha Orban duke mbrojtur idenë e tij se për këtë arsye ka pasur edhe reagime ndaj politikës së qeverisë për emigracionin dhe ligjin e situatës emergjente.
Ligji i “situatës emergjente”
Ligji i “situatës emergjente” në Hungari u përgatit me qëllimin për masat kundër COVID-19 ndërsa më 30 mars u miratua në Parlament. Partitë opozitare nuk e mbështetën me arsyetimin se ligji i jep qeverisë “fuqinë për të bërë çdo gjë për një kohë pa afat”.
Kundër qeverisë hungareze u drejtuan reagime të ashpra edhe në opinionin publik ndërkombëtar.