Jari Litmanen ka dhënë detaje pasi ka vuajtur nga koronavirusi, duke thënë se asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të keqe.
Ish-futbollisti i njohur i Liverpoolit, Ajaxit dhe Barcelonës, që është pensionuar në vitin 2011, ishte diagnostikuar me Covid – 19 ndërsa i janë dashur katër javë për t’u shëruar plotësisht. I janë dashur edhe dy javë të tjera për pushim dhe rikuperim.
Litmanin (49) mban rekordin për më së shumti ndeshje me Finlandën. Mesfushori kishte luajtur 137 herë për Finlandën në karrierën 21-vjeçare ndërkombëtare.
“Kam pasur ethe, dhimbje të kokës, dhimbje të muskujve, gulçimë dhe gjithçka që është e mundur”, ka thënë Litmanen.
“Më janë dashur katër javë që të shërohem nga koronavirusi dhe më pas disa javë të tjera për rikuperim. Për fat të mirë dhimbjet dhe gulçimi nuk kanë qenë asnjëherë aq të rënda sa të më duhej të shkoja në spital”, ka shtuar legjenda finlandeze.
“Të sëmuresh ishte shumë e lodhshme dhe ndonjëherë ishte vërtetë e rëndë. Fizikisht asnjëherë nuk kam qenë në gjendje kaq të keqe”.
Litmanen ka thënë se nuk i ka munguar futbolli apo sportet tjera. Ka thënë se mendimet i kishte diku tjetër.
Litmanen vlerësohet legjendë e Ajaxit për të cilën skuadër ka luajtur prej vitit 1992 deri në vitin 1999 e më pas prej vitit 2002 deri në vitin 2004. Ka luajtur për shumë skuadra evropiane gjatë karrierës së gjatë.