Dy ligat elitare të Çekisë do të vazhdojnë më 23 maj, pasi një marrëveshje është arritur me klubet për të vazhduar edicionin që është ndërprerë në mars për shkak të koronavirusit.
Këtë e ka bërë të ditur të martën Asociacioni i Ligës së Futbollit.
Rifillimi e bënë ligën çeke njërën prej të parave në Evropë që kthehet pas paraqitjes së koronavirusit. Liga çeke e pason Bundesligën gjermane që vazhdon këtë të shtunë.
Klubet çeke fillimisht do të luajnë pa shikues, para se të lejojnë një numër të limituar të përkrahësve në një pikë.
Lojtarët do të vazhdojnë t’iu përmbahen rregullave strikte të distancës, ndër të tjera gjatë udhëtimit, kurse do të qëndrojnë të vetëm në dhoma të hoteleve.
Përgjegjësit mjekësore do të monitorojnë ndeshjet dhe secili që del pozitiv për koronavirus duhet të qëndrojë në karantinë. Nuk përjashtohet mundësia e izolimit të ekipeve komplete.
Liga nuk do të shpallë kampion dhe nuk do të ketë rënie, nëse kampionati nuk kompletohet.
Sipas Reuters, plani është që dy xhiro të luhen brenda javës dhe që kampionati të përfundojë më 18 korrik. Kontratat e lojtarëve që ishin të vlefshme deri në fund të qershorit tani do të jenë të vlefshme deri në përfundim të edicionit.
Në ditët e fundit në Çeki janë lehtësuar shumë masat e kufizimit. Ky vend ka raportuar 8198 të prekur dhe 282 të vdekur.