Sipas planit të autoriteteve britanike, në fazën e parë të normalizimit, qytetarët do të lejohen të kalojnë më shumë kohë jashtë
Londër
Sot disa nga masat e vendosura në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e përhapjes të koronavirusit të ri (COVID-19), janë hequr në Britani të Madhe, me çka janë bërë hapat e parë drejt normalizimit të jetës në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas planit të autoriteteve britanike, në fazën e parë të normalizimit, qytetarët do të lejohen të kalojnë më shumë kohë jashtë.
Qytetarët do të lejohen të rreziten në parqe, të dalin në piknik dhe të shkojnë për peshkim. Takimet lejohen duke respektuar masat e distancës fizike e cila duhet të jetë së paku dy metra.
Po ashtu do të lejohen edhe fushat sportive në të hapur, përfshirë edhe ato të tenisit, klubet e golfit dhe ato të basketbollit. Në këto vende qytetarët lejohen idividualisht të merren me sport ndërsa me peersona të tjerë duke respektuar rekomandimet. Për aktivitete sportive në ambient të hapur, në përputhje me masat, nuk do të ketë kufizime kohore.
Përveç kësaj, lejohen vizitat në zonat rurale, parqet kombëtare dhe plazhe, apo mund të udhëtojnë kudo me kusht që të qëndrojnë jashtë. Meqenëse rekomandohet që të shmanget transporti publik, udhëtimet në fjalë mund të bëhen me automjete private.
Qytetarët të cilët nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të fillojnë t’u kthehen aktiviteteve të tyre duke respektuar të gjitha procedurat higjienike dhe të sigurisë.
– Ndalesat që ende janë në fuqi
Qytetarët ende nuk lejohen të shkojnë në pushim, të qëndrojnë në vila dhe as të vizitojnë këdo jashtë rrethit të ngushtë familjar, përveç në rast të ndihmës së personave të tjerë.
Ndalohet noti në pishinat publike, përdorimi i sallave sportive të mbyllura, pishinat e mbyllura dhe qendrat rekreative. Baret, klubet e natës, restoranet dhe teatrot vazhdojnë të mbesin të mbyllura.
Gjobat për shkelësit e regullave do të rriten nga 60 në 100 funta. Për çdo shkelje tjetër kjo shumë mund të rritet deri në 3.200 funta.
– Në fazën e dytë hapen shkollat, në të tretën hotelet
Sipas planit, në fazën e dytë, e cila do të miratohet më 1 qershor do të hapen disa dyqane ndërsa shkollat do të fillojnë me nxënësit e shkollave fillore.
Faza e tretë pritet të fillojë në korrik, ku është planifikuar hapja e hoteleve dhe objekteve të tjera duke respektuar masat.