Zhdukja e gjurmëve të shtëpisë së Nënë Terezës dhe bllokimi i rrugës për të vendosur lule në pllakën e saj përkujtimore në qendër të Shkupit, kanë qenë dy shqetësimet kryesore të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH). Me një konferencë për media të martën, mu para parkut të ri fare pranë sheshit kryesor të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, drejtori i këtij instituti, Skender Asani, e ka quajtur shqetësues vendimin e marrë nga autoritetet e qytetit të Shkupit.
“Siç e shihni, në këtë vend tashmë nuk ekzistojnë gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë dhe, pos kësaj, është bllokuar edhe rruga për të vendosur lule në pllakën përkujtimore të kësaj shtëpie. Pavarësisht thashethemeve, të gjitha faktet flasin se këtu ka qenë shtëpia ku ajo ka lindur, andaj ky vend tashmë disa vjet konsiderohej si shenjë e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, dhe ishte shndërruar në një pikë pelegrinazhi për admiruesit e personalitetit të saj”, ka thënë Asani para mediave, shkruan KOHA.
Me këtë vendim, i cili, sipas tij, “nuk dihet si është marrë, kur është marrë dhe nga kush është marrë”, është sulmuar edhe figura e Nënës Terezë.
“Nisur nga kjo, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, si institucion i vetëm shkencor në vend që ka departament për studimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, i cili është akredituar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shpreh indinjatën e thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm dhe konsideron se ky është një sulm ndaj figurës së Nënës Terezë, ndaj veprës së saj të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, por edhe ndaj admiruesve të saj gjithandej nëpër botë”, ka thënë ai.
Tutje, drejtori i ITSHKSH-së ka bërë me dije se ia kanë nisur një letër presidentit të shtetit, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, si dhe kreut të qytetit të Shkupit që, në përputhje me kompetencat dhe mundësitë e tyre, të rikthejnë gjendjen e mëparshme “derisa ky vendim nuk ka marrë përmasa ndërkombëtare, që vendi ynë të turpërohet nga kjo papërgjegjshmëri”.
“Duke qëndruar këtu i bëjmë thirrje veçanërisht kryetarit të qytetit të Shkupit, si përgjegjësi kryesor i këtij sheshi dhe i kësaj pike përkujtimore, që ta rishqyrtojë këtë veprim. Jemi të sigurt se qyteti ynë ka plot punë për t’u bërë para se të vihet dorë mbi personalitetin e Nënës Terezë. Në këtë drejtim mund t’i propozojmë që teksti i pllakës përkujtimore të bëhet edhe në gjuhën shqipe, siç është përcaktuar tashmë me ligj”, ka shtuar historiani Asani.