Politizimi i pandemisë dëmton përpjekjet ndërkombëtare për ta luftuar virusin, ka thënë Wang Yi
Sekretari Shtetëror dhe Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka thënë se shpërthimi i koronavirusit të ri (COVID-19) është marrë nën kontroll dhe tha se veprimet si politizimi i pandemisë nga disa vende dhe sulmet ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) e dëmtojnë luftën ndërkombëtare kundër sëmundjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Nën drejtimin personal dhe udhëzimin e presidentit të shtetit Xi Jinping, Kina me përpjekjet e vështira dhe të jashtëzakonshme e ka marrë sëmundjen COVID-19 nën kontroll dhe vazhdon me këmbëngulje drejt normalizimit gradual të jetës ekonomike dhe sociale gjatë luftës me epideminë aktuale”, ka thënë Wang gjatë bisedave telefonike që ka zhvilluar me homologët nga Bosnja dhe Hercegovina, Hungaria dhe Estonia, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.
Ai ka thënë se virusi nuk njeh kufi dhe popull dhe pa specifikuar emra, shtoi se prej kohësh, politikanë të disa vendeve po e politizojnë pandeminë.
Wang po ashtu ka theksuar se politikanët në fjalë sulmojnë OBSH-në dhe e njollosin këtë organizatë.
“Veprimet e këtilla ndërhyjnë në përpjekjet ndërkombëtare për ta lufutuar pandeminë dhe i dëmtojnë ato”, ka shtuar kryediplomati kinez.
Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në fillim të muajit kanë përmendur pretendimet se COVID-19 buron nga një laborator në Wuhan të Kinës.
Trump kishte thënë se ka parë prova se virusi ka dalë nga laboratori, por se aktualisht nuk do të shpaloste detaje.
Ndërkaq, Pompeo kishte deklaruar se Kina “ka një të kaluar të infektimit të botës me laboratorët e saj që funksionojnë me standarde të ulëta”.
“Mund t’ju them se ka shumë prova se ky (COVID-19) buron nga laboratori në Wuhan”, ka pohuar shefi i diplomacisë amerikane.
Më 27 prill, Trump gjatë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë deklaroi se SHBA mund të kërkojë dëmshpërblim nga Kina për shkak të pandemisë.
Ndërkaq, qeveria kineze i ka mohuar të gjitha akuzat se virusi buron nga një laborator në Wuhan.